Inflacioni dhe kërkesat në rritje ndaj qeverive po ndryshojnë politikën ekonomike në botë

Kjo do të çojë në një përmbysje të regjimit të mëparshëm, thotë Henry Curr për The Economist.

Në vitin 2013, ekonomisti Julio Rotemberg, propozoi një teori që nxiti ndryshime themelore në Rezervën Federale: pendimi.

Kjo teori parashikonte se herët a vonë, diçka e tmerrshme do të ndodhte në ekonomi, si Depresioni i Madh në vitet 1930 apo inflacioni i madh i viteve 1970. Banka qendrore do të fajësohej.

Reklama e sponzorizuar

Më pas ajo do të pranonte kritikat dhe do të ndryshonte drejtim. Në fakt, politikëbërësit monetarë kanë qenë të përfshirë në një proces provash dhe gabimesh prej dekadash.

Një moment pendimi ka ndodhur sërish sot, dhe jo vetëm në Amerikë. Inflacioni global është rritur në nivelin 9.8%, duke i kapur në befasi politikëbërësit, ekonomistët dhe investitorët.

Bankat qendrore, pasi kaluan pjesën më të madhe të vitit 2021 duke këmbëngulur se inflacioni ishte një periudhë e shkurtër post-pandemike që do të zhdukej brenda pak muajsh, tashmë kanë ndryshuar mendim. Gjithsej 33 nga 38 bankat qendrore të monitoruara nga Banka për Shlyerjet Ndërkombëtare, kanë rritur normat e interesit në vitin 2022.

Rezerva Federale e ka shtrënguar politikën monetare më rreptësisht se në çdo kohë që nga vitet 1980. Andrew Bailey, guvernatori i Bankës së Anglisë, e ka përshkruar këtë periudhë si “sfidën më të madhe të regjimit të politikës monetare për shënjestrimin e inflacionit”.

Ashtu si mjekët mesjetarë që paralajmëronin pacientin për një procedurë të dhimbshme pa anestezi, shumë bankierë qendrorë po flasin për dhimbjen që do të jetë e nevojshme të durohet, për të ulur inflacionin.

 

Nuk janë vetëm bankierët qendrorë. Edhe qeveritë janë penduar. Por, edhe pse politika monetare është duke u zhvendosur nga stimuli financiar në kufizim, qeveritë kanë lëvizur në drejtim të kundërt. Gjatë viteve 2020 dhe 2021, ato shpenzuan plot 10% të PBB-së për të mbështetur ekonomitë dhe ofruan një tjetër 6% shtesë në formë kredie.

Ndërkohë që pas krizës globale financiare të viteve 2007-‘09, shumë qeveri u përpoqën me ngut të balanconin buxhetet, me besimin se borxhet e tyre rrezikonin të bëheshin të paqëndrueshme, sot ato po vazhdojnë të marrin hua dhe të shpenzojnë për gjithçka, nga ulja e taksave, deri tek subvencionimi i faturave të energjisë.

The Economist argumenton se po ndodh një ndryshim i madh i politikave në vendet e pasura. Përzierja e politikave të shtrënguara fiskale dhe atyre të lirshme monetare, që përcaktoi pjesën më të madhe të viteve 2010, po shndërrohet në një politikë të shtrënguar fiskale dhe monetare.

Rezultati i mundshëm është një luftë midis bankave qendrore dorëkursyera, dhe qeverive dorëlëshuara në shpenzime, që do ta bëjë më të vështirë luftimin e inflacionit.

Kjo do të ngrejë pyetjen se sa shumë dhimbje afatshkurtra janë të gatshme të përballojnë shoqëritë, në emër të stabilitetit ekonomik afatgjatë. Por, në fund, mund të ndihmojë politikën ekonomike të bëjë një rifillim të dobishëm.

Ç’na tregon e kaluara?

Herën e fundit kur bota përjetoi shpërthim inflacioni, në vitet 1980, politikat monetare dhe fiskale operuan së bashku për të eliminuar shpenzimet e tepërta nga sistemi. Midis viteve 1978 dhe 1984, Britania, Gjermania dhe Japonia ulën në mënyrë drastike deficitet buxhetore; Franca dhe Kanadaja e bënë këtë me një ritëm më të butë.

Përjashtimi ishte Amerika, ku shkurtimet e pafinancuara të taksave nga Ronald Reagan, i dhanë gaz ekonomisë, ndërkohë që Rezerva Federale e drejtuar nga Paul Volcker, kishte shtypur frenat. Por megjithëse Volcker zakonisht merr meritën për zbutjen e inflacionit, ai nuk u ul plotësisht derisa politikat monetare dhe fiskale funksionuan së bashku.

Taksat e Amerikës u rritën dhe deficitet buxhetore ranë në gjysmën e dytë të viteve 1980, duke ndaluar rritjen e inflacionit siç kishte ndodhur pas recesioneve të viteve 1970. Një sërë ekonomistësh argumentojnë se ndryshimi në politikën fiskale ishte vendimtar për vënien nën kontroll të inflacionit.

Megjithatë, një ulje e ngjashme fiskale duket e pamundur sot. Në Britani, kryeministrja e re Liz Truss, ka lënë mënjanë masat shtrënguese fiskale që përkrahën paraardhësit e saj konservatorë në vitet 2010. Qeveria e saj po merr më shumë hua për të financuar shkurtimet e taksave, duke kritikuar “ortodoksinë” ekonomike të Britanisë në dy dekadat e fundit.

Bashkimi Europian do të shpenzojë fondin e tij “Next Generation” prej 807 miliardë dollarësh (782 miliardë dollarë), i krijuar për të mbështetur solidaritetin në bllok, një nivel integrimi fiskal që ishte i papërfytyrueshëm përpara pandemisë.

Qeveritë japoneze dhe koreanojugore janë të përkushtuara për të ulur huamarrjen, por veprimet e tyre flasin më shumë se fjalët: Japonia është tërhequr nga objektivi për të balancuar buxhetin e saj deri në vitin 2025 dhe Koreja e Jugut thotë se po planifikon që së shpejti të ulë taksat e korporatave dhe taksat ndaj të ardhurave.

Amerika ka miratuar Aktin e Reduktimit të Inflacionit, një ligj për ndryshimet klimatike që do të zvogëlojë gjithashtu huamarrjen e qeverisë. Por efekti disinflacionist është i papërfillshëm dhe anulimi i borxhit të studentëve i propozuar nga presidenti Joe Biden, do të kushtojë afërsisht dy herë më shumë sesa do të kursejë ky akt.

Në parashikimet buxhetore nga maji, përpara se të shpallej kjo politikë, deficiti buxhetor i Amerikës ishte parashikuar të ishte mesatarisht rreth 5% e PBB-së gjatë pjesës tjetër të dekadës, mjaftueshëm për të rritur raportin e borxhit publik ndaj PBB-së në 105%.

Qeveritë po shpenzojnë lirshëm për të ndihmuar familjet me faturat e larta të energjisë, veçanërisht në Europë, e cila po i përshtatet jetesës së re me më pak gaz rus. Mbrojtja e personave me të ardhura të ulëta në vitin 2022, do të kushtonte më pak se 1% e PBB-së, sipas FMN-së.

Por qeveritë po shkojnë shumë më larg se kaq. Gjermania ka shtetëzuar Uniper, importuesin më të madh të gazit në vend, dhe do të shpenzojë 200 miliardë euro (5.2% e PBB-së) për një “mburojë të mbrojtjes ekonomike”, duke përfshirë subvencione që do të ulnin çmimet e gazit.

Franca ka kufizuar çmimet e energjisë dhe ka shtetëzuar kompaninë EDF, një gjigant energjetik. Megjithëse taksat e papritura mbi firmat e energjisë do të paguajnë për disa nga shpenzimet e Europës, deficitet do të rriten gjithashtu.

Britania mund të marrë hua deri në 6.5% të PBB-së për të kufizuar çmimet e energjisë. Gjermania po anashkalon kufijtë e saj të zakonshëm për akumulimin e borxhit.

 

Një listë e gjatë

Trysnia mbi qeveritë për të shpenzuar, nuk do të ulet. Popullsia në plakje rrit shpenzimet për kujdesin shëndetësor dhe pensionet. Qeveritë duan të dekarbonizojnë ekonomitë, gjë që do të kërkojë investime të konsiderueshme publike.

Pas luftës së Rusisë në Ukrainë, anëtarët e NATO-s po përsërisin premtimet e paplotësuara më parë, për të përmbushur objektivin për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen. Të marra veçmas, shumë nga këto trysni mund të jenë të menaxhueshme. Por në total, ato do t’i vendosin buxhetet nën trysni të madhe.

Në teori, qeveritë me shpenzime të mëdha, plus rritja e normave të interesit, janë një recetë për inflacion të lartë të vazhdueshëm dhe/ose një rënie në tregun e bonove. Investitorët i kanë dhënë Britanisë një paralajmërim të ashpër për këtë rrezik, dhe reaguan ndaj minibuxhetit të zonjës Truss duke shitur asetet britanike, veçanërisht bonot e qeverisë.

Megjithatë, për vendet me politika ekonomike më të qëndrueshme, huamarrja afatgjatë mbetet e lirë sipas standardeve historike, veçanërisht kur merret parasysh mundësia e inflacionit më të lartë. Një pasojë e plakjes së popullsisë është teprica globale e kursimeve dhe mundësi të pakta investimi.

Do të ishte marrëzi të heqësh dorë nga shpenzimet e nevojshme për parandalimin e ndryshimeve klimatike ose sigurimin e paqes në Europë, në një kohë kur bota është e mbushur me kapital. Megjithatë, në të ardhmen priten sfida afatshkurtra dhe afatgjata.

Vështirësia e menjëhershme është se shpenzimet e mëdha nga qeveritë do ta bëjnë më të vështirë (dhe ndoshta të pamundur) që bankat qendrore të arrijnë objektivat e tyre të inflacionit prej 2%. Qeveritë nuk kanë gjasa të qëndrojnë duarkryq teksa bankat qendrore shkaktojnë dhimbje në ekonomitë e tyre, në emër të uljes së inflacionit.

Ato mund të japin stimuj fiskalë përpara se të përfundojë detyra e uljes së inflacionit. Rreziku është edhe më i madh tani që ekonomitë janë goditur nga ana e ofertës, veçanërisht nga kriza energjetike.

Pa rregulluar mungesat themelore, nuk është në dorën e qeverive që të ndalojnë dhimbjen ekonomike që shkaktojnë këto mungesa. Ato vetëm mund të shpërndajnë burimet që kanë në dispozicion, për të mbrojtur më të varfrit. Por nëse politikanët përpiqen të mbrojnë standardet e jetesës së të gjithëve, ata do të shkaktojnë rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Sfida afatgjatë është shmangia e krizave fiskale. Plakja e shoqërive është një sfidë që ka përfshirë shekullin XXI. Nëse qeveritë nuk i kontrollojnë shpenzimet e tyre për të moshuarit, ato do të përballen me kufij fiskalë, pavarësisht nga kostoja e huamarrjes.

Do të ishte gabim të grumbulloheshin borxhe vetëm për të shtyrë për më vonë zgjedhjet e vështira, duke përdorur në këtë mënyrë hapësirën fiskale që mund të nevojitet për krizat e ardhshme, jo vetëm për ndryshimet klimatike, por edhe fatkeqësitë e paparashikuara, si pandemitë.

Natyrisht, frenimi i shpenzimeve për pensionet dhe kujdesin shëndetësor, është më i lehtë të thuhet sesa të bëhet. /Monitor.al/