Kosova e gjunjëzuar nga çmimet egërsisht të ngritura

Kosova është e gjunjëzuar nga “fluturimi deri në qiell” i çmimeve të produkteve ushqimore, të atyre që duhet t’i ketë për çdo ditë një familje, qoftë e pasur, qoftë e varfër dhe qofshin të shtrenjta apo të paarritshme për shumicën e varfanjakëve tanë. Në shtator dhe në këto ditë të gjysmës së parë të tetorit, çmimet ushqimore edhe ashtu tepër të larta dhe të ngitura disa herë sivjet, kanë shpërthyer dhe kanë prekur kufirin, vijën e kuqe, përtej së cilës nuk mund të përballohen më.

Mehmet GJATA

Kosova praktikisht tash e një kohë, e sidomos në muajin e kaluar dhe në gjysmën e parë të tetorit, është atakuar sërish vrazhdë nga ngritja enorme e çmimeve në përgjithësi, dhe në vaçanti nga ngritja e çmimeve të produkteve bazike ushqimore.

Në këtë mënyrë, Kosova është e gjunjëzuar nga “fluturimi deri në qiell” i produkteve ushqimore, të atyre që duhet t’i ketë për çdo ditë një familje, qoftë e pasur, qoftë e varfër dhe qofshin të shtrenjta apo të pa arritshme për shumicën e varfanjakëve tanë. Në shtator dhe në këto ditë e gjysmës së parë të tetorit, çmimet ushqimore edhe ashtu tepër të larta dhe të ngitura disa herë sivjet, kanë shpërthyer dhe kanë prekur kufirin, vijën e kuqe, përtej së cilës nuk mund të përballohen më. Janë ngritur çmimet e bukës, sheqerit, vajit, shumë produkteve të bylmetit, drutë për ngrohje, peleti, vezët e shumë të tjera produkte bazike.

Reklama e sponzorizuar

Sipas shumë fakteve, ato tashmë kanë tejkaluar çmimet e produkteve të shportës të shumë e shumë vendeve të Perëndimit. Sheqeri, vaji, qumështi etj., tashmë janë më shtrenjtë në Kosovë sa bie fjala në Gjermani, në Zvicër, në Itali dhe në disa vende të tjera evropiane.

Vera, si kudo në botë, edhe në Kosovë, do të duhej të jetë përgjithësisht më e lirë se sa stinët e tjera të vitit. Dalin në treg produkte vendore bujqësore, perimet, domatet, specat, karrotat, lakrat, spinaçi etj., nga arat dhe kopshtijet e bujqëve tanë, dhe kjo ofertë logjikisht, do të duhej të përmbushë më shumë dhe më lirë kërkesat e konsumatorëve kosovarë. Por, kjo logjikë tregu, as kësaj vere sikur nuk vlejti në Kosovën e varfër financiarisht dhe me shumicë sociale të ç’ekulibruar tashmë nga pasojat e krizave ekonomike, energjetike dhe financiare te shumicës absolute të kosovarëve.

Tani, çmimet e këtyre produkteve kanë tejkaluar statistikat për çmimet e produkteve bazike të Agjencisë së Statistikave të Kosovës deri në shtator, edhe ashtu tepër të larta dhe pakuptueshëm jashtë çdo kriteri të formimit të çmimeve. Për pasojë të këtyre zhvillimeve në ecuritë e çmimeve në Kosovë, deri në shtator, niveli i inflacionit ka arritur në rreth 13 për qind.

Me fjalë të tjera, për kaq përqindje, deri në shtator, sipas ASK-së, janë ngitur çmimet në Republikën tonë: Aktualisht një pako vezë kushton 3.88 euro, një litër vaj ushqimor është 2.45 dhe pesë kilogramë sheqer janë 5.86 euro, ose një kilogram sheqer i paketuar veç e veç dje tregtohej në marketet dhe megamarketat tona për 1, 45 euro. Një pako oriz kushton 1.26 euro, kurse makaronat blihen me 0.94 euro dhe mielli prej 5 kilogramësh me 3.83 euro. Një litër qumësht tregtohet me 1.21 euro, 800 gramë gjizë kushtojnë 2.73 euro dhe djathi me 6.01 euro. Çmimi i naftës më 16 tetor ishte 1.78, derisa benzina 1.41 euro. Derisa, produkti i vetëm që ka pësuar ndryshim të çmimit nga 11 tetorit është çaji, që kushtonte 7.99 euro, kurse aktualisht është 10.06 euro. Këto, pak a shumë janë çmimet e frikshme të produkteve bazike, sipas ASK-së, ndërkohë që ato sot janë edhe më të larta, sepse në ndërkohë janë ngritur egërsisht edhe më tej nga tregtarët që duan me çdo kusht të shfrytëzojnë situatën, të pasurohen brenda natës duke ngritur marzhat e fitimit përtej çdo limiti.

Në anën tjetër, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, praktikisht po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë, sado që të formësuara edhe si dokumente, masat e qeverisë të bëra publike edhe kohë më parë për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.

Shifrat e çmimeve të reja të sipërpërmendura në këtë shkrim, tregojnë më qartë se edhe Rezoluta e VV-së, e miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës javë më parë, që synonte adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë dhe në njëfarë mënyre vendosjen e një tavani të çmimeve për produktet bazë ushqimore, për të pasur sado pak njëfarë mbikëqyrjeje tek çmimet e produkteve bazë, tani po del vetëm një tekst sa për të thënë diçka, pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra.

Siç dihet, në mbishkrimin kryesor në këtë rezolutë, thuhej se Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë. Përveç kësaj, Kuvendi përmes rezolutës ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues. Mirëpo, siç po shihet nga shifrat më të fundit të çmimeve të shumë produkteve bazë ushqimore asnjë kërkesë dhe synim i Rezolutës nuk është përmbushur. Thjesht, si me të si pa të, tregtarët, sidomos ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, edhe këtyre ditëve i quan çmimet në stratosferë, duke e quar në qiell edhe marzhën e fitimit dhe duke shfrytëzuar ‘frymën’ e krijuar kudo për ngritje çmimesh. Ndërsa po vazhdon të vonohet për t’u miratuar Ligji i paralajmëruar për caktimin e marzhës së fitimit maksimal për produktet bazë.

Tashmë njëfarë efekti i vogël, është arritur vetëm me përsëdytjen e udhëzimit Administrativ nga ana e Qeverisë për kufirin maksimal të çmimit të derivative, i rivendosur ka ditë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Po dalin të jenë goxha të paefektshme edhe premtimet e kryeministrit Kurti, të bëra në shumë raste gjatë muajve të shkuar se “ditëve në vijim do të publikohen masat e reja të Qeverisë për çmimet e larta të produkteve esenciale”.

Kurti ka thënë publikisht se “po diskuton me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin dhe ministrin e Financave, Hekuran Muratin, për masat ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale.

“Me ministrat Murati e Hajdari, jemi në komunikim që të sjellim masa që i ndihmojnë qytetarët. Çmimi tavan për naftën ka dhënë rezultate, por duhet ta gjejmë mënyrën më të mirë, por të mos e shkelim kushtetutën”, deklaroi Kurti.

Së fundi, pikërisht para dy-tre ditësh, edhe shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka deklaruar se deputetët e Kosovës në seancën e radhës, që do të mbahet të enjten, pritet të diskutojnë për Projektligjin që parasheh vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazike.

“Projektligji për masa të përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, parasheh vendosjen e një çmimi tavan për produktet e listës esenciale dhe tashmë edhe ky i ka plotësuar të gjitha kushtet që të trajtohet në kuvend në seancë të rregullt”, ka thënë Kusari-Lila.

Mirëpo, sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, “projektligji që parasheh vendosjen e çmimeve tavan do t’i mundësoj qeverisë që të ndërhyjë në treg”.

“Një projektligj i tillë i jep mundësi qeverisë që të ndërhyjë në treg me caktimin e çmimeve të disa produkteve. Këtu kemi të bëjmë me një projektligj që nuk është bërë një analizë e caktuar, pra një Projektligj që bjer ndesh me Kushtetutën”, ka thënë Tahiri.

A do të miratohen masat e vendosjes së çmimit tavan për produktet bazike mbetet të shihet të enjten, më 20 tetor. Por, ta marrësh si ta marrësh, duhet thënë se fare pak nga masat e paralajmëruara për t’i ndihmuar qytetarët me frenimin e ngritjes së çmimeve në përgjithësi, e në veçanti të ngritjes abuzive të tyre, kanë dhënë efekte në tregjet e Kosovës, dhe fare, ose aspak efekte konkrete nuk janë shënuar as në gusht, as në shtator dhe as në gjysmën e tetorit sa i përket stopimit të egërsimit të mëtejshëm të çmimeve në vend.

Çmimet pra, vetëm sa janë ngritur, por me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura. Dhe, këtë ngritje çmimesh të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, tashmë mezi po e përmbyllin muajin me muaj. Ka rënë pa diskutim fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasojë se në muajt e fundit të 2022-tës, familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Sepse, siç ka llogaritur qartësisht një njohës i mirë i proceseve inflatore, Edison Jakurti, 100 euro në shtator të vitit 2021 kanë pasur vlerë reale 90.74 euro, ndërsa me muajin shtator 2022- 100 euro kanë vlerë reale 80, 52 euro. Këto janë faktet. Dhe zyrtarët duhet t’i kenë parasysh këto fakte. /Buletini Ekonomik/