Thirrjet për kursim të rrymës në këto rrethana të mungesës së këtij produkti aq determinues të mbarëvajtjes së përditëshmërisë sonë, kosovarët duhet pranuar dhe kushtimisht edhe duhet respektuar, sepse kursimi i rrymës është bërë i domosdoshëm gjithandej në glob, dhe po se po në vendin tonë të varfër dhe me mungesë evidente të parave për ta importuar rrymën e super-shtrenjtë.
Mehmet GJATA
Kosovarët duhet të mësohen me apelet e zyrtarëve të shtetit dhe nëpunësve të kompanive prodhuese, shpërndarëse dhe të furnizimit për të kursyer energjinë elektrike, sado që në këto përmasa thirrjet e parreshtura, përditë dhe më shpesh, janë bërë monotone, dhe goxha irrituese e të bezdisshme.
Thirrjet për kursim të rrymës, kosovarët, gjithsesi, në këto rrethana të mungesës së këtij produkti aq determinues të mbarëvajtjes së përditëshmërisë sonë, duhet pranuar dhe kushtimisht edhe duhet respektuar, sepse kursimi i rrymës është bërë i domosdoshëm gjithandej në glob, dhe po se po në vendin tonë të varfër dhe me mungesë evidente të parave për ta importuar rrymën e super-shtrenjtë.
Bota shumicë, edhe shtetet e fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht, në njëfarë mënyre, më shpejtë se sa është parashikuar nga njohësit e rrethanave dhe më lehtësisht se sa është pritur, kanë pranuar “regjimin” e kursimeve, e të restriksioneve të energjisë elektrike, duke sakrifikuar dhe hequr dorë nga jeta me energji të bollshme dhe nga maniret për të shpenzuar pafundsisht edhe rrymën.
Duhet ta pranojmë edhe ne tashmë këtë mënyrë të re jetese, sidomos në muajt e dimrit, kur siç po paralajmërohet nga autoritetet institucionale dhe nga prodhuesit e shpërndarësit e rrymës në vend, do të jetë “një dimër i vështirë”, në mungesë të bollshme të energjisë elektrike.
Llogaritë e thjeshta, tregojnë se kapacitetet ekzistuese të prodhimit të rrymës në Kosovë, të stërvjetëruara (Kosova B me dy njësi prodhimi dhe Kosova A me A3 dhe A4), me diku rreth 780 megavat/orë bashkarisht, dhe kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme të Kosovës (hidrocentralet dhe prodhimi nga era), me diku rreth 150-170 megavat/orë, që për shkak të mungesës së ujërave dhe të erës së bollshme, vështirë të arrihet gjithnjë, nuk prodhojnë sasinë nevojshme të rrymës, që në dimër, jo në pak raste, shkon edhe në nivelin e frikshëm prej 1.300 megavatësh. Këto llogari, po kështu bëjnë me dije troç se në rrethanat e ngritjes së konsumit në 1.250-1.300 megavatë-orë, Kosovës do t’i mungonin 300-350 dhe në raste edhe 400 megavatë, edhe po të punonin termocentralet e amortizuara përtej çdo limiti, në kushte ideale dhe pandërpreje.
Por, kosovarët, i kanë fare të njohura restriksionet energjetike, madje edhe në ditët verore, si pasojë e rënies së njësive prodhuese nga procesi i prodhimit për pasojë të defekteve teknike në to, jo shumë të rralla. Kjo gjendje elektroenergjetike, pak a shumë, pritet të jetë gjatë dhjetorit, janarit dhe shkurtit.
Kosova, pra, nuk do të ketë mjaftueshëm rrymë. Dhe për ta zbutur sadopak këtë mungesë dhe për të ndikuar paksa në ruajtjen e parasë, edhe ashtu të mangët të shtetit tonë, duhet ta kursejmë rrymën, ditën dhe natën dhe kudo ku është e mundshme edhe tani, e sidomos gjatë muajve të dimrit.
“Kosovën e pret një dimër i paparashikueshëm”, e përsëritë në vazhdimësi refrenin Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.
Sipas tij, “realisht Kosova është në krizë energjetike që nga viti i kaluar, ndërsa aktualisht jemi në situatë emergjente. Gjendja është fragjile, fatkeqësisht në vend që të ulet konsumi, gjatë muajit shtator është vërejtur një rritje e shpenzimit të rrymës, që shkon afër 5% në nivel mujor”.
Buzhala për medie tërheq vëmendjen se “jemi duke iu trembur shumë dimrit, çka do të ndodh gjatë dimrit kur kërkesa vazhdon të rritet tutje, për shkak se qytetarët ngrohen me energji elektrike masivisht”, duke bërë thirrje në emër të kompanisë shpërndarëse te qytetarët, që të mos të ngrohen me energji elektrike, por të zgjedhin format alternative.
“Apeli ynë i vazhdueshëm është që qytetarët mos të ngrohen me energji elektrike, sepse po vendosin që të ngrohen në mënyrë të pasigurtë, pasi që jo vetëm Kosova por e gjithë Evropa është duke hyrë në situata të turbullta energjetike, të pa parashikueshme dhe nuk e dimë sa dhe si do të këtë energji elektrike”, ka thënë Buzhala për medien e Kosovës.
Sipas tij, janë tre faktorë të cilët e rrisin stabilitetin apo paparashikueshmërinë. E para është prodhimi vendor, e dyta është kërkesa dhe e treta është çmimi në bursat ndërkombëtare.
Prodhimi vendor aktualisht është aq sa janë kapacitetet dhe si i tillë nuk mund të lëvizë. Por, kërkesa mund të lëvizë. Nëse kërkesa është kontabël me prodhimin vendor atëherë nuk do të kemi probleme, mirëpo, fatkeqësisht indikacionet janë që situata do të jetë më e keqe se sa vitin e kaluar kur çmimet ishin në qiell, ndërsa këtë vit çmimet janë dukshëm edhe më të larta se vitin e kaluar.
“Prandaj, situata është shumë e paparashikueshme, mirëpo ajo që mund të themi tash është qe na pret një dimër jashtëzakonisht shumë i vështirë dhe shumë më i vështirë se vitin e kaluar. Po hymë në ujëra të turbullta, qytetarët duhet të ngrohen me forma alternative, pasi që me energji elektrike rrezikojnë të mërdhijnë”, ka alarmuar Buzhala.
“Realisht nuk kemi me u mërdhi, por nëse shpresojmë që të ngrohemi të gjithë me energji elektrike atëherë rrezikojmë të mërdhihemi”, tha Buzhala, sipas të cilit, nëse vendi do të importonte rregullisht energji për të mbuluar hendekun midis prodhimit vendor dhe kërkesës dimërore (diku rreth 400 MW), atëherë kostot mund të arrijnë në 5 milionë euro në ditë, ose 150 milionë vetëm në muaj për importet e energjisë elektrike.
“Gjetja e alternativave për ngrohje dhe kursimi i energjisë elektrike është më gjëja e duhur për t’u bërë”, ka thënë ai.
Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se “Kosovën e pret një dimër i vështirë”, për shkak të krizës energjetike. Ajo, duke arsyetuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji ka theksuar madje se “qytetarët duhet t’i izolojnë shtëpitë përpara se të ftohet moti derisa ka potencuar se duhet të ndërrohet edhe mënyra e ngrohjes, pra që të mos përdoret energjia elektrike për ngrohje”.
“Gjatë kësaj kohe kemi marrë disa vendime në bazë të masave emergjenteve, ku përveç ndalimit të prodhimit të kriptovalutave me energji elektrike që janë marrë në vendimin e parë, vendimet tjera kanë të bëjnë me masat në vijim: janë vendosur masa detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike, është ndaluar eksporti dhe ri-eksporti i produkteve të drurit dhe lëndëve djegëse, është shfuqizuar vendimi i vitit 2018 për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut, si dhe të gjitha këto janë bërë me rekomandim të komitetit teknik emergjent që është mbledhur rregullisht. Është marrë edhe një vendim që për qëllim të mbulimit të konsumit dhe zvogëlimit të energjisë elektrike është rekomanduar që KEK energjinë që e merr nga KESH i Shqipërisë tua ofrojë furnizuesit të shërbimit universal dhe KOSTT-it sipas kushteve të marrëveshjes për furnizim me shumicë të energjisë elektrike në përputhje me rregullat e tregut në fuqi”, u shpreh Rizvanolli.
Ministrja paralajmëroi se varësisht nga situata pritet që të merren edhe masa tjera, ku njëra prej tyre është edhe ndalimi i importit të poçeve elektrike. Merre si ta marrësh, parashikimet për ditë të ngrysura elektroenergjetike në dimër për kosovarët janë goxha reale dhe mbështeten në shifrat prodhim-konsum të rrymës. Kosova pati edhe vjet në muajt e dimrit krizë të theksueshme elektroenergjetike, në mungesë të ndjeshme të rrymës. Prandaj, s’ka si të mos e ripërjetojë edhe në dimrin e pritshëm krizën e territ, aq më parë kur dihet që kapacitetet nuk përmbushin nevojat e konsumit të vendit në rritje gjatë stinës së dimrit. Këtë parashikim e shprehin të gjithë-edhe përfaqësuesit e shtetit dhe të pushtetit, edhe zyrtarët e KEK-ut, edhe ata të KESCO-s dhe të KEDS-it, edhe në KOSTT. Dhe, këto parashikime, janë të mbështetura në proporcionet e prodhimit, mundësisë reale që ofrojnë termocentralet e stërvjetruara kosovare edhe në rrethanat e prodhimit të tyre pa ndërprerje të paplanifikuar dhe të konsumit kosovar, që në muajt e ftohtë të dimrit di të shkojë edhe në 1250 – 1300 megavatë/orë.
Thënë më thjeshtë, raporti prodhim- konsum i energjisë elektrike do të ndodhë, prandaj edhe parashikimi se “dimër i vështirë elektroenergjetik e pret Kosovën” nuk duhet të nënçmohet. Për këtë shkak, nuk prajnë edhe kërkesat dhe thirrjet drejtuar konsumatorëve kosovarë për domosdonë e racionalizimit të kursimit të energjisë elektrike.
KESCO ka njoftuar madje që në muajin gusht se ka rifilluar thirrjet për kursim të energjisë elektrike për të gjitha kategoritë shpenzuese, duke filluar nga konsumatorët shtëpiakë, industritë, e deri te bizneset e hotelerisë.
Sipas analizave nga ekspertët e KEDS, për secilën kategori gjatë këtyre muajve janë paraparë kursime modeste, por nga të cilat kursime do të përfitojnë të gjithë.
“Me kursimin e të gjithëve nga pak, energjia në dispozicion do të shpërndahet në mënyrë të barabartë”, thonë në KEDS.
Duke marrë parasysh sa janë rënduar sistemet elektroenergjetikë në të gjithë botën, për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike edhe shtete të tjera të fuqishme kanë filluar me masat për kursimin e energjisë elektrike. Për shembull, Gjermania ka aprovuar një sërë masash për kursimin e energjisë elektrike, të cilat do ta limitojnë përdorimin e ndriçimit dhe ngrohjes në ndërtesa publike.
Shtetet e fuqishme të Perëndimit kanë shkuar aq larg me masat kursimtare të rrymës, sa që në disa sosh edhe ndeshjet e kampionateve vendore të futbollit nuk do t’i zhvillojnë më gjatë orëve të territ, por gjatë ditës vetëm për ta kyrsyer sado pak rrymën. Shumë shtete tashmë po kursejnë edhe në ndriçimin publik në vendet e tyre.
Edhe ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve elektroenergjetike në vend, vazhdojnë t’iu bëjnë thirrje qytetarëve që të kenë vëmendjen dhe të kenë kujdes në konsum të energjisë, për shkak të krizës globale elektroenergjetike, çmimeve galopante të rrymës në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe të mungesës së pritshme të rrymës në Kosovë në ditët dimrore, sidomos në orët e pikut dhe kur dominojnë temperaturat e acarta te ne. Kudo, gjetiu në botë, qoftë te vendet e varfëra, qoftë te ato potente ekonomikisht dhe financiarisht, barrën e çështjes së kursimit të domosdoshëm në intervale të caktuara kohore, e sidomos në periudhat kur ka sinjale për rritje të vrullshme të konsumit të rrymës, e bartin sistemet elektroenergjetike të akcilit vend, shteti dhe qytetarët. Në Kosovë, siç dihet, deri tani këtë barrë e ka pasur më shumë sistemi elektroenergjetik. Tani është nevojë e domosdoshme që me kursimin e rrymës të preokupohen shumë më seriozisht edhe shteti edhe qytetarët. Dhe, ky rikthim i vëmendjes së kursimit të rrymës te shteti dhe te qytetarët, është në të mirën e përgjithshme. /Buletini Ekonomik/