Ministrat gjermanë të Ekonomisë dhe Ambientit, kanë hartuar një draft-dokument për të zgjatur jetën e tri centraleve të mbetura bërthamore në këtë shtet, deri më 15 prill të vitit 2023.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka urdhëruar ministrat që të punojnë në kornizën ligjore për të mbajtur centralet operacionale.
Ekonomia më e madhe e Evropës pati planifikuar mbylljen e centraleve deri në fund të këtij viti, mirëpo Scholz tani është duke shtyrë përpara zgjatjen e afatit, pas krizës me energji që ka nxitur lufta e Rusisë në Ukrainë.
Pas ndryshimeve në Aktin Atomik të Energjisë, që parasheh zgjatjen e jetës së centraleve, draft-ligji duhet të kalojë përmes kabinetit dhe të tria partitë e koalicionit duhet të pajtohen me të.
Ky dokument më pas duhet të miratohet edhe në të dyja dhomat e Parlamentit deri në fund të muajit nëntor.
Pse ka qenë kjo temë “kompromis” për partitë në koalicion?
Partia liberale FDP ka bërë thirrje për të mbajtur të tria centralet aktive deri më 2024, derisa Partia e Gjelbër ka insistuar që vetëm dy centrale të mbahen rezervë deri në pranverë të vitit të ardhshëm.
Vendimi i Scholzit konsiderohet kompromis në mes të kërkesave të të dyja partive, ndonëse FDP, për dallim nga Partia e Gjelbër, e konsideron vendimin e Qeverisë si fitore politike.
Kompanitë që menaxhojnë këto centrale bërthamore janë Isar II (E.ON), Emsland (RWE) dhe Neckarwestheim II (EnBW).
Me një kapacitet prej 4.2 gigavatësh, këto centrale përbëjnë 6 për qind të energjisë elektrike të Gjermanisë dhe sipas ligjit, ato duhet të mbyllen në fund të vitit 2022. Vendimi për mbylljen e tyre është marrë pas katastrofës bërthamore të vitit 2011 në Fukushima. Secila zgjatje kërkon ndryshim të ligjit.
E.ON ka thënë se ka mjaftueshëm staf për të mbajtur centralin në punë, sepse disa punëtorë janë pajtuar që të shtyjnë skemat e pensionimit të hershëm, ashtu që të ofrojnë ndihmë. Kostoja financiare mund të shkojë në 772 milionë euro.
Emsland dhe Neckarwestheim II pritet të prodhojnë 1.7 teravat energji në orë, sipas draft-dokumentit.
Analistja e lartë e kompanisë Bernstein, Deepa Venkateswaran ka thënë se përfitimi shtesë për kompanitë E.ON dhe RWE mund të jetë “margjinal” – rreth 300 milionë euro për secilën – duke marrë parasysh një çmim tavan prej 180 eurosh për megavat në orë.
Sa gjatë mund të punojnë centralet me karburantin e mbetur bërthamor?
Operatorët e centraleve janë duke marrë masa për të siguruar se centralet mund të funksionojnë deri më 15 prill, siç ka kërkuar Scholz, duke shtuar se diçka e tillë kërkon ndryshime ligjore.
EnBW ka thënë se Neckarwestheim II, në parim, mund të funksionojë deri në mesin e muajit prill. Isar II pritet të funksionojë deri në mars të vitit 2023, bazuar në rezervat që ka, duke përmendur se një konfigurim eventual mund të zgjasë jetën e centralit deri në gusht të vitit 2023.
“Pas kësaj kohe duhet të ketë bateri të reja që duhet të prokurohen”, ka thënë E.ON.
Megjithatë, kjo gjë merr kohë. Sipas grupit industrial, Teknologjia Bërthamore e Gjermanisë (KernD), zakonisht merr një vit kohë që të sigurohen bateritë e reja bërthamore.
“Nëse operatorët tashmë kanë porositur disa bateri, koha mund të zvogëlohet në 6-7 muaj”, ka thënë KernD.
Politikisht, zgjatja e jetës së një centrali bërthamor përbën vijë të kuqe për Partinë e Gjelbër, e cila ka hedhur poshtë mundësinë e blerjes së baterive të reja për zgjatje të operimit të centraleve.
Mirëpo nëse situata vështirësohet në muajt e dimrit, FDP do të mund të shfrytëzojë rastin për të kërkuar zgjatje tjetër. /REL/