Një tubacion nafte i ndërtuar vite më parë si përgjigja konkurruese e Jugosllavisë ndaj infrastrukturës sovjetike, mund të ndihmojë Kroacinë të dalë fitimtare nga kriza energjetike e Europës, theksohet në një artikull Financial Times.
Zagrebi po punon mbi planet për të dyfishuar kapacitetin e tubacionit Adria, të operuar nga kompania kroate Janaf. Një zhvillim i tillë, siç theksohet në artikull, do të ishte një shpëtim për vende të tilla si Hungaria, Sllovakia, Sllovenia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina, të cilat kanë terminale dhe rafineri të lidhura me gazsjellësin, veçanërisht në një kohë në të cilën Europa në tërësi po përpiqet të heqë dorë nga hidrokarburet ruse në sfondin e luftës në Ukrainë.
Por përtej gazsjellësit Adria, Kroacia, e cila ka një vijë bregdetare në Adriatik, aktualisht po promovon investime të mëdha në infrastrukturën e energjisë së erës dhe diellit, si dhe në rrjetin e importit të gazit natyror të lëngshëm.
Sipas analistëve, Kroacia ka një mundësi të mirë për t’u bërë një portë energjetike për disa vende fqinje të Europës Qendrore në situatën aktuale energjetike dhe gjeopolitike.
Kroacia kishte filluar të diversifikonte burimet e saj të energjisë shumë kohë përpara pushtimit të Ukrainës nga Moska, duke importuar sasi në rritje të naftës nga Azerbajxhani dhe Kazakistani. Në të njëjtin kontekst, ajo kishte ulur flukset e naftës nga Rusia në një të katërtën e totalit të importeve të saj në vitin 2020: niveli më i ulët që nga viti 2003.
Tani Kroacia do të përfitojë duke furnizuar energji për vendet fqinje të detyruara të diversifikojnë importet e tyre të energjisë dhe duke mbledhur tarifat e rritura të naftës dhe tranzitit të gazit të lëngshëm. /Scan tv/