Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar Qeverinë e Austrisë, e cila ka përfshirë liberalizimin e vizave për qytetarët Kosovës në programin e saj qeverisës.
Kryeministri Kurti e bëri këtë falënderim në fjalën e mbajtur në pritjen e organizuar nga Ambasada e Austrisë në Kosovë me rastin shënimit të Ditës Kombëtare të Austrisë.
“Ne e dimë se Austria ka kontribuar shumë në zhvillimin e lidhjeve me popullin tonë, duke filluar nga fillimi i viteve 70-ta, koha e Gastarbeiter, më pas duke u ofruar strehim qytetarëve tanë gjatë okupimit dhe luftës në vitet ’90-ta; sigurimi i paqes me ushtarët austriak të KFOR-it dhe njohja e pavarësisë sonë në vitin 2008. Më lejoni të shpreh një falënderim të madh (Grossen Dank) për të gjithë këta ushtarë për shërbimin e tyre në vendin tonë. Për më tepër, kemi një diasporë të madhe në Austri me mijëra njerëz që jetojnë, studiojnë dhe punojnë atje.
Akti Austriak i Neutralitetit më 26 tetor 1965 nuk nënkuptonte asnjëherë kufizim politik, por bashkëpunim ndërkombëtar të bazuar në vlerat e vërteta evropiane, që synojnë sigurimin e paqes globale, të sanksionuara në kushtetutën e saj”, tha Kurti.
Kurti po ashtu tha se përveç lidhjeve tona të ngushta kulturore dhe politike, si kryeministër është veçanërisht krenar që bashkëpunimi ynë ekonomik në tregti dhe investime po rritet, pasi kompanitë austriake renditen ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë, si në shërbime ashtu edhe në banka, sigurime dhe energji të ripërtritshme.