Blloku A4 është rikthyer në punë të martën, më 18 tetor, në orët e mëngjesit dhe tashmë kjo njësi e termocentralit ‘Kosova A’ prodhon rreth 130 megavatë-orë rrymë për nevojat e sistemit elektroenergjetik të vendit. Tani, Kosova ka në prodhim gjithsej 3 njësi prodhuese, përkatësisht dy blloqe të Kosovës B (B1 dhe B2) dhe bllokun e rikthyer të Kosovës A (A4) dhe prodhon gjithsej diku rreth 650 megavat-orë energji elektrike.
Buletini Ekonomik
Sot Kosova ka prodhuar nga termokapacitetet e veta elektroenergjetike (dy blloqet e Kosovës B, B1 dhe B2, si dhe njësia e katërt e Kosovës A) saktësisht 650 megavatë-orë energji elektrike. Këtë sasi të rrymës e ka bërë të mundshme rikthimi në punë i bllokut A4 të Kosovës A, i cili për 5-6 ditë, për shkak të rrjedhjes së ujit në kalldajë, rreth dy javë pas kryerjes së remontit të planifikuar gjatë shtatorit, ishte jashtë procesit të punës.
Më saktësisht, blloku A4 është rikthyer në punë të martën, më 18 tetor, në orët e mëngjesit dhe tashmë kjo njësi e Kosovës A prodhon rreth 130 megavat-orë rrymë për nevojat e sistemit elektroenergjetik të vendit. Në këtë mënyrë, tani, Kosova nga termokapacitetet e veta elektroenergjetike ka në prodhim gjithsej 3 njësi prodhuese, përkatësisht dy blloqe të Kosovës B (B1 dhe B2) dhe bllokun e rikthyer të Kosovës A (A4).
Kosova, nga operimi i dy blloqeve të termocentraleve Kosova B dhe A4-shit të Kosovës A, është duke prodhuar gjithsej diku rreth 650 megavat-orë energji elektrike.
Zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), i kanë thënë sot Buletinit Ekonomik se KEK-u aktualisht është duke operuar me njësinë A4 të termocentraleve Kosova A, me kapacitet në rrjet rreth 130 megavatë-orë (MW) dhe dy njësi të Kosovës B me rreth 500 -520 MW.
Siç dihet, A4-shi i rikthyer në prodhim, i cili gjatë shtatorit ka qenë në remont të planifikuar, shumë shpejtë, përkatësisht rreth 2 javë nga riaktivizimi pas remontit të planifikuar, i ndodhi defekti teknik (rrjedhja në kalldajë, që e kushtëzoi ndërprejen e prodhimit për disa ditë.
Prodhimit aktual të njësive prodhuese të termocentraleve duhet shtuar edhe një sasi energji elektrike nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Dhe kjo sasi, sipas zyrtarëve të KEK-ut, tani për tani, pos në orët e pikut kur ndjeshëm shtohet shpenzimi i rrymës në kategorinë e konsumatorëve të amvisërisë, është thuaja e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës edhe gjatë këtyre ditëve me tendenca të ftohjes së motit.
Duhet theksuar se sado që ka nisur të shfaqen ditët me ulje të ndjeshme të temperaturave, ende konsumi i Kosovës nuk ka luhatje të ndjeshme dhe sillet diku te 750 megavatë-orëshi. Me fjalë të tjera, edhe pse ka zënë të ftohet moti, shpenzimi i rrymës në konsumin e vendit ende nuk ka marrë përmasa të shpenzimit enorm dhe të papërballueshëm nga sistemi elektroenergjetik i vendit. Në këto rrethana të konsumit ende jo ndjeshëm të rritur, me këtë sasi të prodhimit përafërsisht po plotësohen nevojat e konsumit të Kosovës, ndërsa tepricat eventuale, sidomos në orët e natës, i huazohen Shqipërisë (Korporatës Energjetike Shqiptare) dhe ndonjë sasi e vogël edhe eksportohet në tregjet e energjisë elektrike.
Zyrtarët e KEK-ut kanë theksuar se ende në remont të planifikuar ndodhet A3-shi (që nga 6 tetori), i cili ka kapacitet identik me A4-shin, përkatësisht diku rreth 130 megavatë-orë në rrjet. Remonti i A3-shit do të zgjasë saktësisht, sipas zyrtarëve të KEK-ut deri në fund të muajit. Dhe, po qe se gjithçka zhvillohet sipas parashikimeve, dhe nëse nuk ndodhë ndonjë e papritur, në fillim të nëntorit, Kosova do të ketë diku 780 megavatë-orë rrymë nga termokapacitetet e veta, plus rreth 160-170 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme.
Ndërsa, te blloku A5, i termocentralit Kosova A, që është jashtë prodhimit që nga korriku, siç dihet është parashikuar të bëhet remonti kapital, gjegjësisht riparimi i tërësishëm i turbinës dhe kaldasë së këtij blloku. Aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat e përzgjedhjes së punëkryesit potencial. A5-shi, siç janë duke u zhvilluar punët rreth përzgjedhjes së një punëkryesi, vështirë që mund të aktivizohet gjatë këtij dimri, pasi që punët remontuese janë planifikuar të zgjasin diku rreth 3 muaj. /Buletini Ekonomik/