Miratohet marrëveshja e bashkëfinancimit për ndërtimin e Rrugës Prizren-Tetovë

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes së bashkëfinancimit për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.

Zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, teksa propozoi miratimin e kësaj nisme, tha se ndërtimi i rrugës, që është marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, do të ndikojë në zhvillimin e qëndrueshëm të të dyja vendeve.

“Me qëllim të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Maqedoninë së Veriut, ministria propozon miratimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e projektit për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Reklama e sponzorizuar

Ndërtimi i kësaj rruge është një proces që ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm të të dyja vendeve”, ka thënë zëvendësministrja.

Rruga Prizren-Tetovë është premtuar nga shumë qeveri në Kosovë se do të ndërtohet, por punimet në realizimin e këtij projekti ende nuk kanë filluar.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë mbajtur mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Kryeministrat dhe ministrat dikasterialë patën nënshkruar Memorandumet për Mirëkuptim mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për përcaktimin e fushëveprimit të përgjithshëm të bashkëpunimit lidhur me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë fushatës në zgjedhjet e fundit lokale, pati premtuar se ndërtimi i kësaj rruge do të përfundojë brenda dy-tre vitesh. Ai bashkë me kandidatin e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukën, patën prezantuar edhe projektin.

Sa i përket gjerësisë së rrugës (shtresës së asfaltit), Qeveria ka njoftuar se pritet të jetë 6 metra, ndërsa gjatësia kanë thënë se ende nuk është e përcaktuar, pasi  “ende nuk është hartuar projekti kryesor për implementimin e kësaj rruge”.

Numri i automjeteve që pritet të kalojnë në këtë rrugë deri në vitin 2043 (apo periudhës shfrytëzuese 25-vjeçare) është 7358 automjete mesatarja vjetore për ditë. Ndërsa, në vitin e parë të shfrytëzimit, pritshmëritë janë që rruga të përshkohet nga më shumë se 4300 automjete mesatarja vjetore për ditë.