Ministri i Financave, Hekuran Murati në seancën e sotme të Kuvendit i është përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me Projektligjin për vendosjen e masave të përkohshme të produktet themelore.
Murati ka thënë se ky Projektligj ka për qëllim të rregulloj një problem që ekziston, e që është çmimet e larta për produktet bazike.
“Kemi pa deklarata e juaja, kemi parë edhe video që u ngjajnë reklamave të supermarketeve të cilat tregojnë se çmimet janë rrit. Rritja e çmimeve ka dy faktorë kryesorë kontribuues, e para është importi për shkak që për kaq vite me radhë nuk është bërë asgjë për të rrit kapacitet prodhuese në vend jemi të varur nga importet”, tha Murati.
Ai shtoi se çmimi importit është rrit në nivel global e mbi të cilin Qeveria nuk ka kontroll.
“Problemi i dytë është spekulimi nga tregtarët brenda vendit, ato produkte që importohen mund të shihet qartë që është abuzuar me situatën nga shumë prej këtyre tregtarëve për të rritur marzhat e tyre të fitimit”, u shpreh Murati.
Ministri i Financave shtoi se ka rritje të çmimit për import dhe ka rritje të marzhës së fitimit për biznese tregtare.
“Qeveria ka sjellë ligj që e targeton këtë problemin e dytë. E ajo çfarë dëgjuam këtu sot nga opozita është që nuk bënë ta kemi një ligj të tillë, dhe si alternativë po propozohet që TVSH të hiqet”, tha Murati.
Ministri mori shembull çmimin e vajit.
“Ta marrim çmimin e vajit. Çmimi i vajit aktualisht është 2 euro e 65 cent për litër. A e dini sa është çmimi i importit që ka hy vaji ditëve të fundit? Çmimi mesatar i importit që 1 litër vaj ka hy në kufi ditëve të fundit është 1 euro e 40 cent dhe shitet 2 euro e 65 cent, ku marzha e fitimit është 90% dhe neve na thuhet se nuk është problemi te marzha por te TVSH-ja 8%”, tha Murati.
Ministri Murati shtoi se synimi i opozitës është që të ulen të hyrat e Qeverisë e në anën tjetër të trashet fitimi i tregtarëve.
“Propozojmë çmime tavan, nuk qëndron argumenti që është në kundërshtim me Kushtetutën sepse ajo ka edhe disa nene të tjera nëse e lexoni të tërën, përveç tjerash kemi edhe UNICEF-in që ka dalë me rekomandime sesi duhet të shmangim varfërinë e qytetarëve”, tha Murati.