Ngadalësimi i investimeve, ulë rritjen e Bruto Prodhimit Vendor

Rritja reale e Bruto Prodhimit Vendor të Kosovës pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind në vitin 2022, pas një ngadalësimi të investimeve dhe konsumit privat. Kështu thuhet në raportin më të ri të Bankës Botërore për Ekonominë. E ky ngadalësim shihet me skepticizëm nga ligjvënësit opozitarë dhe përfaqësues të bizneseve.

Në 3.1 për qind, pritet të ngadalësohet rritja reale e Bruto Produktit Vendor të Kosovës, thotë raporti i fundit i Bankës Botërore. Zbatimi i përshpejtuar i reformave strukturore në energji, arsim, mbrojtje sociale dhe kujdes shëndetësor është thelbësor për të rritur rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të Kosovës, thotë raporti, duke potencuar faktin se institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar për një dimër të vështirë, sidomos në fushën e energjisë.

Referuar në raport, ligjvënësit thonë se kjo tregon qartë dobësitë ekonomike të kësaj qeverie dhe strategjinë e dobët të luftës kundër krizës ekonomike, energjetike dhe të inflacionit.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i Komisionit për Ekonomi nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, thotë për Radio Kosovën se raporti konsiston me realitetin e rëndë ekonomik në vend, bazuar në dy faktorë.

“I pari është faktori menaxhues dhe buxheti i shtetit i cili është keqmenaxhuar gjatë këtij viti kalendarik nga institucionet e Kosovës, pra, është tërhequr paraja nga tregu dhe po mbahet e mbyllur në arkën e shtetit. Faktori i dytë është kriza e përgjithshme globale që bie ndesh me konceptin qeverisës, në vend që të përkrahej dhe të lëvizej me para brenda sektorëve ekonomikë të vendit, kriza globale ka ndikuar që linjat e furnizimit dhe pjesë të tjera të ekonomisë qarkulluese të vështirësohen”, tha Shala.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, thotë për Radio Kosovën se qeveria ka mjete të mjaftueshme, por  nuk po i investon në projekte kapitale.

“Qeveria e Kosovës në mungesë të investimeve kapitale, ka rreth 800 milionë euro në xhirollogarinë e saj bankare, pra, ka mjete të mjaftueshme të cilat çuditërisht nuk po i investon në projekte kapitale. Nëse këto projeksione të Bankës Botërore materializohen deri në fund të vitit, një rritje reale prej 3.1 për qind dhe inflacioni me 12 për qind, atëherë i bie që rritja reale ekonomike do të jetë minus 9 për qind dhe do të ketë tkurrje ekonomike në 9 për qind për sivjet”, tha Mustafa.

Përfaqësuesi i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se duhet shumë strategji gjithëpërfshirëse për të zhvilluar ekonominë dhe për të dalë nga kriza që ka kapluar vendin.

“Ende në Kosovë punohet pa strategji zhvillimore, nuk  ka strategji kundër varfërisë dhe e gjithë kjo e bënë Kosovën që të jetë më e varfër. Viti 2021 do të mbahet mend si viti me rritjen më të madhe ekonomike pas luftës, me rreth 10 për qind, por viti 2022 do të mbahet mend si rënia më e madhe në historinë e pasluftës. Nëse e krahasojmë vitin 2022 me 2021, nëse trendi i zhvillimit ekonomik në fund të vitit është pak i vështirësuar, ne do të kemi një rënie ekonomike mbi 200 për qind, e ky është një shqetësim i madh për të gjithë qytetarët e Kosovës, e mbi të gjitha për institucionet”, tha Shahini.