OKB-ja akuzon vendet më të pasura për ‘lëvizje të pamatura’ në luftën kundër inflacionit

Rritjet e normave të interesit dhe masat shtrënguese që po përdorin shtetet më të pasura të botës për të luftuar inflacionin e lartë, rrezikojnë të sjellin një recesion të dhimbshëm global, i cili do të dëmtonte më shumë vendet në zhvillim, ka paralajmëruar OKB-ja.

Në raportin e saj vjetor për tregtinë dhe zhvillimin, Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin tha se përpjekjet e bankave kryesore qendrore për të rritur normat si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve, janë “lëvizje të pamatura” që mund të sjellin pasoja të rrezikshme.

Agjencia e OKB-së tha se kërkohej një “korrigjim urgjent i këtij kursi” për të parandaluar një seri krizash të borxhit, të shëndetit dhe të emergjencës klimatike në vendet më të varfra që po mundohen të përballojnë goditjen ekonomike nga pandemia Covid dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

Reklama e sponzorizuar

Kjo ndërhyrje vjen pasi bankat qendrore globale po rritin ndjeshëm normat e interesit për të luftuar inflacionin, i cili ka arritur nivelet më të larta të katër dekadave të fundit. Rezerva Federale e SHBA po konsideron një tjetër rritje të konsiderueshme të normave në muajin e ardhshëm, së bashku me disa lëvizje të ngjashme nga Banka e Anglisë dhe nga Banka Qendrore Europiane.

Megjithatë, Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin tha se liderët politikë dhe bankat qendrore në ekonomitë e përparuara po bëjnë gabimin e rikthimit te politikat shtrënguese që u përdorën në vitet 1970 dhe 1980 për të eliminuar totalisht inflacionin. Këto politika, sipas organizmit të OKB, janë të papërshtatshme për rrethanat aktuale që po përjeton bota.

Duke sfiduar supozimin se nevojitet një shtrëngim i politikave monetare nga bankat qendrore, Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin tha se pjesa më e madhe e rritjes aktuale të inflacionit po nxitet nga rritja e çmimeve të energjisë, të ushqimeve dhe nga përplasjet në tregtinë globale, por jo nga kërkesa e lartë për mallra dhe shërbime.

Raporti thotë se masa të tilla si kontrollet strategjike të çmimeve, taksat mbi fitimet shtesë të kompanive, masat për anti-trustet dhe rregullat e rrepta për spekulimet me mallrat, janë të nevojshme për të luftuar presionet inflacioniste, duke mos i shtyrë vendet më të varfra drejt greminës.

Organi i OKB-së tha se rritja e normave të interesit nga Fed pritet të ulë të ardhurat e vendeve në zhvillim me rreth 3.6 trilion dollarë, duke përjashtuar Kinën, si dhe të sinjalizojë akoma më shumë probleme në të ardhmen.

Raporti vëren se vendet që po shfaqnin shenja shqetësuese për sa i përket borxhit përpara Covid-it, janë ato që tani po marrin goditjet më të mëdha (Zambia, Surinami, Sri Lanka), ndërsa ndryshimet klimatike po kërcënojnë akoma më shumë stabilitetin ekonomik (rasti i Pakistanit).

“Problemi i vërtetë me të cilin po përballen politikëbërësit nuk është një krizë inflacioni e shkaktuar nga sasia e madhe e parave dhe numri i vogël i mallrave që janë në dispozicion, por është një krizë e shpërndarjes së pasurisë, ku shumë firma po paguajnë dividendë tepër të lartë, shumë njerëz po luftojnë për të mbyllur muajin dhe shumë qeveri mezi po mbijetojnë pas pagesave të obligacioneve,” tha Richard Kozul-Wright, kreu i ekipit përgjegjës për raportin.

Normat më të larta të interesit nga Fed kanë ndihmuar në rritjen e konsiderueshme të vlerës së dollarit ndaj monedhave të tjera, duke ushtruar presionin mbi vendet më të varfra për çmimin e mallrave të importuara nga jashtë, si dhe për koston e shlyerjes së borxheve të tyre.

“Ka ende kohë për t’iu shmangur pragut të një recesioni,” tha Rebeca Grynspan, sekretarja e përgjithshme e Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin. “Ne kemi mjetet e duhura në dispozicion për të reduktuar inflacionin dhe për të mbështetur të gjitha grupet vulnerabël. Kjo është një çështje që lidhet me zgjedhjet që duhen bërë për politikat që do të ndiqen, dhe me vullnetin politik. Por, kursi aktual i veprimit po dëmton shtesat më vulnerabël, veçanërisht në vendet në zhvillim, dhe rrezikon ta çojë botën në një recesion global.” /The Guardian/