Rriten lehtë çmimet e naftës në tregje – SHBA pritet të hedhë në treg 15 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike

Çmimet e naftës u rritën mëngjesin e së mërkurës, duke zbutur humbjet nga sesioni i mëparshëm, pasi shqetësimi për furnizimet e pakta pas raporteve për inventarë më të ulët në Shtetet e Bashkuara kompensuan frikën për zbehjen e kërkesës nga importuesi kryesor i naftës Kina.

Kontratat e së ardhmes së naftës Brent u rritën me 73 cent, në 90.76 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor u tregtua me 83,95 dollarë për fuçi, me një rritje prej 1,13 dollarë.

Të dy kontratat arritën nivelet më të ulëta të dy javëve dhe ranë përkatësisht 1.7% dhe 3.1%, në seancën e mëparshme për shkak të publikimit të planeve të presidentit amerikan Joe Biden për të hedhur në treg më shumë prodhim nga Rezerva Strategjike e Naftës, si dhe shqetësimet për kërkesën më të dobët kineze për karburant. Rezervat e naftës së papërpunuar në SHBA ranë me rreth 1.3 milionë fuçi për javën e mbyllur më 14 tetor.

Reklama e sponzorizuar

Në fillim të muajit, OPEC+ ra dakord për një ulje të madhe të prodhimit të naftës prej 2 milionë fuçi në ditë. Ulja e prodhimit, që vjen përpara një embargoje të Bashkimit Europian ndaj naftës ruse, do të pakësojë ofertën në një treg tashmë të tkurrur. Sanksionet do të hyjnë në fuqi përkatësisht në dhjetor dhe shkurt.

Sipas një analisti të JP Morgan, pritet që prodhimi rus të bjerë me 600 mijë fuçi në ditë deri në fund të vitit, pasi Europa zbaton si embargon ndaj blerjeve të naftës ruse, ashtu edhe ndalimin e shërbimeve të rëndësishme si transporti, sigurimi dhe financimi.

Për të kompensuar këto mungesa, administrata Biden po planifikon të shesë 15 milionë fuçi naftë nga rezervat e saj strategjike, për të ulur çmimet e karburantit përpara zgjedhjeve të Kongresit të muajit të ardhshëm./Scan tv/