Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere diskutoi të hënën për Projekligjin për Mbështetjen e Punëve Publike. Në këtë komision pati përplasje mes deputetëve të opozitës dhe ministrit Hekuran Murati, i cili e prezantoi projekligjin. Se çka parasheh ky projekligj dhe sa pritet të përkrahen kompanitë, mund të lexoni në tekstin më poshtë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, në Komisionin për Buxhet ka thënë se ky projekligji synon t’i përkrahë punët në sektorin ndërtimor, që, sipas tij, ka ngecur shumë si pasojë e rritjes së çmimeve.
“Sipas ligjit për prokurim, nuk ka pasur ndonjë mekanizëm. Kjo situatë ka vazhduar dhe e kemi parë të nevojshëm këtë projektligj për kryerjen e punëve publike. Projektligji parasheh kompensim shtesë. Janë kontratat e mesme dhe të mëdha për projekte kapitale. Projektligji parasheh kompensim për ato materiale ndërtimore, alumini, zhavori. Të drejtë për kompensim kanë operatorët ekonomikë. Të gjitha janë bërë në mënyrë që të hapet rrugë për operatorë ekonomikë. Tavani është 20%. Lutja ime do të ishte të shqyrtohet mundësia në mënyrë të përshpejtuar, sepse varet edhe niveli lokal. Një gjë e tillë do të duhej të rregullohej në Ligjin për Prokurim Publik”, ka thënë ai në mbledhjen e komisionit.
Në anën tjetër, depuetët e opozitës, që janë pjesë e këtij komisioni, e kundërshtuan mënyrën se si është bërë ky projektligj.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se kjo është një ide shabllon e ministrit Murati dhe se është vonuar shumë një hap i tillë nga Qeveria, pasi, sipas tij, inflacioni ka ndikuar që shumë kompani të heqin dorë nga projektet.
Ndërkaq deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se projekligji po bëhet shtatë muaj me vonesë dhe pas bllokimit të investimeve kapitale.
Hoti ka thënë se projekligji nuk ndihmon në problemin me investimet kapitale dhe se krijon pasiguri dhe e çrregullon konkurencën.
“Ky draft i ligjit nuk e zgjidh problemin e investimeve të ulëta kapitale të Qeverisë dhe komunave, të cilat investime janë në nivele rekord, më të ulëtat ndonjëherë. Projektligji është gabim nga fundi në krye, krijon pasiguri dhe e çrregullon konkurrencën. Pavarësisht këtij ligji, ky vit është i humbur, pasi është tepër vonë për të pasur ndonjë ndikim në realizimin e investimeve brenda këtij viti. Përqindja e caktuar për kompensim të kostos së materialeve për shkak të rritjes së çmimeve është arbitrare. Projektligji ka edhe shumë defekte të tjera, të cilat do t’i bëj të ditura në seancë.”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Më tej, Hoti ka shpjeguar se si mund të rregullohet kjo gjë, duke thënë: “Intervenimi ligjor për ta zgjidhur këtë problem duhet të jetë i thjeshtë – përmes plotësimit me disa nene të ligjit të prokurimit publik për t’i përshtatur çmimet e materialeve ndërtimore në kontrata sipas çmimit të tyre në bursë. Ky intervenim duhet të vlejë vetëm për kontratat ekzistuese, sepse kontratat e reja lidhen me çmime të reja. Çdo qasje tjetër krijon pasiguri dhe kaos në menaxhimin e kontratave publike”.
Edhe nga AAK-ja kanë thënë se ky projekligj është i vonuar dhe se kompensimi prej 20 për qind është i ulët dhe nuk përkon me kërkesat e kompanive, të cilët kanë kërkuar që të jetë 30 për qind.
Çka thotë Projektligji?
Projekligji për Mbështetjen e Punëve Publike parasheh që të krijohet një mekanizëm për kompensimin e kompanive për shkak të rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor dhe “punëve përcjellëse në kontratat për punë të lidhura në mes të Autoriteteve Kontraktuese dhe Operatorëve Ekonomikë konform Ligjit përkatës për Prokurim Publik.”
Në projekligjin që e ka parë Nacionale, thuhet se kompensimi do të bëhet vetëm për kontratat që janë nënshkruar para datës 1 prill 2022 dhe se përkrahja nuk do të jetë më shumë se 20 për qind e vlerës së kontratës.
Sipas projekligjit, kompensimi do të bëhet vetëm për materialet ndërtimore që janë ndikuar nga inflacioni.
“Kjo listë e materialeve ndërtimore përfshin: Bitumin dhe emulzionin; Ҫimenton; Hekurin dhe produket e saj; Gypat plastikë dhe gypat e betonit; Zhavorin; Aluminin; Bakrin; dhe Zinkun. Kompensimi për inflacion realizohet edhe për punët përcjellëse si makineritë, fuqia punëtore dhe të tjera.”, thuhet në Neni 4 “Materialet dhe punët përcjellëse për kompensim për inflacion”, thuhet në projektligj.
E përllogaritja e kompensimit për rritje të çmimeve do të bëhet nga Ministria përgjegjëse për Financa.
“Ministria përgjegjëse për Financa publikon formularin me formulë përkatëse në bazë të së cilit përllogaritet norma për kompensim. Ky formular publikohet brenda shtatë (7) ditëve kalendarike nga hyrja në fuqi e këtij Ligji.”, thuhet në nenin 8 Përllogaritja e kompensimit për inflacion.
Sipas këtij projekligji, shteti nuk do të kompensojë më shumë se 20 për qind të vlerës totale të faturës.
Ky ligj hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare dhe pritet të jetë në fuqi më 31 dhjetor 2022.
Kujtojmë se investimet kapitale kanë rënë në shifra të frikshme këtë vit. Nuk dihet nëse me kalimin e këtij projekligji mund të rriten investimet kapitale.