Shtatori rrit kreditimin në Eurozonë

Huadhënia e bankave për kompanitë e eurozonës u përshpejtua më tej në shtator, duke zgjeruar kreditimin më të madh të sektorit në më shumë se një dekadë, pavarësisht rritjes së normave të interesit dhe një recesioni të afërt, treguan të të dhënat e Bankës Qendrore Europiane.

Por, institucioni me bazë në Frankfurt, paralajmëron se kërkesa për kredi pritet të bjerë në tremujorin e katërt në të gjithë sektorët pasi normat e interesit do të rriten më tej, ekonomia pritet të hyjë në  recesion dhe kompanitë do të tkurrin investimet.

Kredia për bizneset në zonën e euros me 19 vende u zgjerua me 8.9% në shtator, ritmi më i shpejtë që nga fillimi i vitit 2009, duke tejkaluar një parashikim prej 8.8% një muaj më parë. Rritja e kredisë për individë ndërkohë u ngadalësua në 4.4%, nga 4.5% e parashikimeve.

Reklama e sponzorizuar

Në vlerë monetare fluksi mujor i kredive për kompanitë, u ngadalësua ndjeshëm, duke rënë në 27.3 miliardë euro në shtator, nga 68.2 miliardë euro një muaj më parë. Rritja e kredisë ka qenë e fuqishme këtë vit edhe pse bankat shtrënguan aksesin në fonde, duke reflektuar pjesërisht nevojën e rritur të kompanive për likuiditet për të mbuluar kostot e larta të energjisë.

Qarkullimi i parasë në Eurozonë u përshpejtua në 6.3%, duke tejkaluar pritjet për 6.1%.