Stagflacioni po e rikthen Maqedoninë e Veriut në vitet e 80-ta

Fotografi ilustruese

Që nga fillimi i vitit 2021, çmimet në Maqedoninë e Veriut janë rritur ndjeshëm. Në gusht të këtij viti, çmimet e ushqimeve dhe pijeve shënuan rritjen më të madhe vjetore prej 25.1%, pasuar nga çmimet e hoteleve dhe restoranteve (24.2%) dhe kostot e transportit (17.4%).

Çmimi i bukës dhe drithërave u rrit me 44.1% në bazë vjetore në gusht, çmimet e vajrave dhe yndyrave me 46.7% dhe çmimet e qumështit, djathit dhe vezëve, u rritën me 26.9% në bazë vjetore.

Kriza energjetike është rreziku më i madh për ekonominë në Maqedoninë e Veriut dhe ekspertët e ekonomisë i këshillojnë qeverisë që të rrisë prodhimin e brendshëm të energjisë dhe t’i përqendrojë masat ndihmëse në kategoritë e cenueshme të popullsisë.

Reklama e sponzorizuar

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut shënoi rritje reale vjetore prej 2.8% në tremujorin e dytë, pas rritjes prej 2.4% në tremujorin e parë të vitit 2022. Inflacioni u rrit në 16.8% në gusht. Prodhimi industrial ra me 5% në bazë vjetore në korrik.

Stagflacioni mund të rrisë edhe shkallën e papunësisë që do të rezultonte në një rënie të fuqisë shpenzuese të konsumatorit.

“Pritet që çmimet e energjisë të mbeten të larta për shkak të pasigurisë së tregut dhe rreziqeve të ndërprerjes së mëtejshme të furnizimit me gaz në vendet e BE-së. Furnizimi më i ulët tashmë po shkakton mungesa të energjisë dhe trysni në çmime, gjë që do të ketë ndikim të fortë në ekonominë europiane”, tha Blagica Petreski, kryeekonomistja dhe kreu i institutit të kërkimit ekonomik, Finance Think.

Ajo shtoi se Maqedonia e Veriut është e varur nga ekonomia europiane dhe rreziqe dhe prirje të tilla do të kenë efekt përhapës në ekonominë e vendit.

“Para së gjithash, rënia do të ndodhë për shkak të varësisë së drejtpërdrejtë nga importi i energjisë dhe lidhjeve të konsiderueshme tregtare me vendet e BE-së, duke përfshirë kompanitë shumëkombëshe që operojnë në vend, të cilat janë drejtpërdrejt të varura nga kompanitë mëmë jashtë vendit”, tha Petreski.

Sipas saj, pavarësisht uljes së çmimeve të ushqimeve në tregjet globale që nga qershori i vitit 2022, rritjet e mëtejshme të çmimeve të energjisë tregojnë se trysnitë e çmimeve mund të zgjasin më shumë se pritshmëritë e mëparshme.