Bursat europiane janë hapur në rënie edhe në sesionin e sotëm, për shkak të kaosit politik rnë Mbretërinë e Bashkuar, pas dorëheqjes së kryeministres Liz Truss. Tashmë, konservatorët duhet të zgjedhin një kryeministër të ri brenda një jave.
Ndërkohë, liderët e Bashkimit Europian ende po debatojnë se si të zgjidhin krizën energjetike në bllok, pasi Gjermania i dha dritën jeshile propozimit për të vendosur një tavan mbi çmimet. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 është hapur në rënie me 0.5%, ndërsa shumica e sektorëve janë në territor negativ.
Edhe Wall Street dhe shumica e bursave aziatike patën një tendencë në rënie. Në fokus të tregjeve javë edhe fitimet tremujore të korporatave. Aksionet e Adidas ranë me rreth 7%, pasi kompania paralajmëroi një rënie të fitimeve gjatë këtij viti.
Fokusi, gjithsesi do të jetë i përqëndruar te situata politike në Mbvretërinë e Bashkuar, pasi sot do të fillojë gara brenda konservatorëve për të zgjedhur kryeministrin e ri. Mes favoritëve është ish-kryeministri Boris Johnson dhe ish-ministri i Financave, Rishi Sunak, i cili e humbi betejën me Lis Truss, tashmë të dorëhequr.