Tregtia dhe ndërtimi janë dy sektorët me numrin më të madh të të punësuarve në Kosovë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në sektorin e tregtisë janë të punësuar 17.1 për qind, ndërsa në ndërtimtari 12.1 për qind.
Arsimi po ashtu ka numër të lartë të të punësuarve, me 9.3 për qind dhe prodhimi me 9.2 për qind. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.6 për qind.
Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e tretë (TM3) 2021 është 33.4 për qind.
Punësimi me i lartë është te meshkujt 49.9 për qind, ndërsa punësimi te femrat është 17.1 për qind.
Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.8 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 42.3 për qind.
Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.8 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 57.2 për qind kanë kontratë të përkohshme.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2021, shkalla e papunësisë është 17.7 për qind.
Papunësia më e theksuar ishte te femrat me 23.9 për qind, krahasuar me meshkujt, 15.3 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 29.0 për qind.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2021, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 59.4 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 77.5 për qind, krahasuar me meshkujt, 41.1 për qind.