Edhe sot po vazhdon sekuestrimi i objekteve të ndërtuara në mënyrë ilegale në zonën e Brezovicës.
Prokurori i rastit tha të martën për Gazetën Express se villat u takojnë pronarëve të “të gjitha strukturave”, duke përfshirë politikanë e biznesmenë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë edhe sot janë duke vazhduar aksionin lidhur me sekuestrimin e objekteve të ndërtimit në Brezovicë – Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”.
“Raportet e pranuara lidhur me këtë rast nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, vërtetojnë se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.