Vendet evropiane ku mund të rrini me pak ‘centa’ nëse do t’i hiqeshin vizat Kosovës

I gjithë disponimi kolektiv është se realisht do të jetë një tjetër tentativë e dështuar për liberalizim vizash në Kosovë.

Është njëmend çudi në vete që me tërë këtë zhvillim social global, një shtet në qendër të kontinetit më të zhvilluar në botë, të udhëtojë veç me mendje përtej kufijve, duke shfrytëzuar imazhe të gjetura në internet për të ‘përjetuar’ udhëtime përmes imagjinatës.

Edhe ajo përqindje jo e madhe sa kanë pasur mundësinë të sigurojnë një vizë, me shumë gjasë, kanë përjetuar situata të palakmueshme për t’iu kërkuar me përulësi familjarëve e shoqërisë që i kanë në perëndim, nga një garancion.

Reklama e sponzorizuar

Imagjinata nuk të kushton asgjë, nuk e dëmton askë dhe nuk është e kundërligjshme. Kështu që, të imagjinojmë së bashku se qysh nesër do të nisim një udhëtim nëpër vende të Evropës pa barrierën e vizave, dhe të supozojmë se krejt problemet tjera janë të zgjidhura dhe tash krejt çka po mendojmë është cilat vende do t’i vizitojmë më përpara.

Ta zëmë se i kemi ca para, por nuk kemi aq shumë dhe – meqë kjo është hera e parë që po udhëtojmë – kemi ankth se mos po mbesim pa asnjë cent në ndonjë shtet të huaj e të panjohur për ne, Zot mos e bëj.

Andaj, po marrim hapa paraprakë duke hulumtuar në çmimet dhe shpenzimet e arsyeshme që i ofron lista e mëposhtme me vendet që duhet t’i vizitoni pa qenë “të larë në para”. (Lista është marrë nga uebfaqja “linksmoving“).

Portugalia

Mbyllni sytë dhe, nga Podujeva, Llapushniku, Kaçaniku, Prizreni apo kudo që gjendeni aktualisht, paramendoni një vend me ushqim të mirë, plazhe të bukura, stil jetese relaksi, dhe banesa të lira për të banuar. Eh, pikërisht këto i ofron Portugalia, kryeqyteti i së cilës, Lisbona, është një prej top destinacioneve për relaks të udhëtuesve evropianë.

Mesatarisht, një vakt ushqimi në një restorant kushton €7.50. Nëse doni veç të shëtisni e të përgatitni në shtëpi ushqim, atëherë buka e qumështi vijnë me çmime të ulëta si €0.60 dhe €1.10 respektivisht. Një vendbanim një-dhomësh ka një çmim prej 430 eurosh në muaj, por ju me shumë gjasë nuk e keni ndërmend të qëndroni aq gjatë, andaj natyrisht se çmimi do të jetë shumë më i ulët për qëndrime 3-4 ditore.

Sllovenia

Pasi siguroi pavarësinë qysh para kohës kur populli i Kosovës po përballej me probleme ekzistenciale, më 1999, Sllovenia është shndrruar në një lokacion shumë të frekuentuar nga udhëtuesit, falë pyjeve të dendura, maleve dhe një vije bregdetare të Detit Mesdhe prej 46 kilometrave.

Shumë prej etërve tanë madje e kanë kryer edhe ‘ushtrinë’ (shërbimin e detyrueshëm ushtarak jugosllav) pikërisht në Slloveni, dhe rrëfimet e tyre e kanë zbukuruar imagjinatën tonë.

Në Slloveni, një ushqim mesatar kushton 7 euro. Qumështi në market (€0.87), buka (€1.04) janë gjithashtu të lira, edhe pse jo aq të lira sa një kosovar do të kishte dëshirë. Por, të lira në raport me artikujt e njëjtë në vende tjera evropiane. Sllovenia gjithashtu posedon një natyrë të pasur të jetës shtazore me arinj dhe ujqi. Mund t’iu kushtojë vetëm 100 euro në muaj qiraja në një vend dinjitoz për të jetuar.

Kroacia

Kroacia në vitet e fundit është shndërruar në një destinacion të popullarizuar për turistët nga e gjithë bota. Bregu dalmat shtrihet përgjatë kufijve. Mbi tokë, ka pyje fascinuese dhe liqe të bukur. Thuhet madje se njerëzit janë shumë miqësor dhe çmimet janë të arsyeshme. Nëse jeni ende në udhëtim imagjinar, futni në imazh fytyra të panjohura duke ju buzëqeshur, e restorante që ju befasojnë nga çmimet e lira.

Një vakt ushqimi në Kroaci mesatarisht do t’iu kushtojë 50 kuna (€6.64). Për një apartament me një dhomë mund të paguani €242.18. Paga mesatare është €736.80, andaj ende kemi shumë punë për të bërë ne si kosovarë për të bërë udhëtime më të gjata, pavarësisht se Sllovenia konsiderohet si një prej vendeve më të lira të Evropës.

Bullgaria

Një tjetër vend ballkanik. E di, na ka ardhur në majë të hundës Ballkani dhe krejt çka duam është të shijojmë një copë torte jashtë tij, por hej… mos kërkoni edhe shumë, shumë me pak para. “Me një pagë mujore prej vetëm njëmijë eurove mund të shijoni një standard shumë të lart jetese”, thuhet në artikullin e ‘linksmoving’ kur komentohet Bullgaria. Madje, ka të tillë që thonë se është edhe më i mirë se disa vende shumë më të shtrenjta, si Suedia dhe Zvicra. Varna dhe Sofia janë dy prej qyteteve më të popullarizuara për t’i vizituar. Me ushqim të mirë, aktivitete interesante jashtë, dhe njerëz miqësor, mund të jetë një vend i mirë për shëtitës pa shumë para për të harxhuar. Me një vakt ushqimi që mund të kushtojë mesatarisht rreth €5.11, e drejt të themi se pak do t’ia vlente të përgatisnit në banesë.

Italia

Tash, duhet të dini, jo krejt Italia do të jetë e lirë! Por ky është një vend i bukur, i pasur me kulturë, histori dhe romancë, ka çmime të përballueshme. Mesatarisht, një litër qumësht kushton €1.12, ndërsa një bukë kushton €1.52. Qytetet si Milano e Roma, nuk kanë nevojë shumë për prezantim, por mund t’iu kushtojnë më shumë se që jeni në gjendje të shpenzoni.

Nëse jeni ende duke përjetuar eksperiencën imagjinare të udhëtimit teksa lexoni këtë artikull, mund të riktheheni në realitetin e hidhur që ofron getoja e quajtur “Kosovë”. /Nacionale/