Banka Botërore ka kumtuar projeksionet të cilat në rastin e Kosovës thonë se pritet të ngadalësohet dinamika e zhvillimit ekonomik në 3.1 për qind në vitin 2022 pas një ngadalësimi të investimeve dhe konsumit privat. Ndërkaq gjatë vitit 2021 rritja ekonomike ishte dyshifrore.
Për këtë, Berat Rukiqi, ish-kryetar i Odës Ekonomike e akuzon Qeverinë e Kosovës për neglizhencë – sidomos në ngecjen e investimeve kapitale.
“Edhe BB konstaton që mungesa e investimeve publike dhe private ka ngadalësuar rritjen ekonomike”, ka thënë Rukiqi në një prononcim për Gazetën Express.
Pos uljes së dinamikës së zhvillimit ekonomik, Kosova po përballet dhe me inflacion – që sipas Bankës Botërore kalon mbi 19 për qind.
Në lidhje me inflacionin, ekzekutivi ka dhënë arsyetim se ka çrregullim të tregjeve ndërkombëtare. Rrjedhimisht Kosova ndikohet më shumë për shkak të bilancit negativ tregtar.
Rukiqi e pranon se çrregullimeve të tregjeve globale ka, por thotë se kjo nuk duhet të përdoret si justifikim për “neglizhencën qeveritare”.
“Normalisht që ka çrregullime në tregjet globale, po kjo nuk duhet të jetë “strehë” për fshehjen e dështimeve të Qeverisë”, vazhdon Rukiqi.
Thotë se Qeveria “duhet t’i pranojë dështimet”, e të reflektojë.
“Sidomos reflektim në politikat për energjinë, investimet kapitale, tërheqja nga idetë etatiste për ekonominë”, ka sugjeruar Rukiqi.
Importi i lartë po shkakton probleme
Në raportin e Bankës Botërore përmendej edhe importi. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm gjatë muajit gusht Kosova ka importuar mallra dhe shërbime me vlerë 526 milionë e 800 mijë euro, krahasuar me eksportin që ishte rreth 85 milionë euro.
E këto shifra të larta të importit sjellin edhe më shumë rritje të çmimeve, thotë Musa Limani, profesor i Ekonomisë.
Në një prononcim për Gazetën Express, thotë se “ekonomia e Kosovës karakterizohet me elemente negative makroekonomike si deficiti i financave me miliarda, norma e lartë e papunësisë, struktura e pavolishme ekonomike”.
Raporti i Bankës Botërore tek punësimi përmend edhe numrin e ulët të grave në treg – një problematikë e cituar edhe nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), në raportin e tyre për marrëveshjen energjetike me Kosovën.
“Të gjitha këto ndikojnë në ulje e GDP’së”, thotë Limani.
Një tjetër problem është edhe ulja e forcës punëtore për shkak të emigracionit gjithnjë e një rritje, thotë Limani.
Gjatë vitit 2021 mbi 43 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën – kjo në ekonomi reflektohet me ulje të konsumit dhe të forcës punëtore, dy komponentë të rëndësishëm ekonomikë.
Çfarë thotë Qeveria e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën shkroi për një “progres ekonomik”, që sipas tij Kosova është duke e shënuar.
“Progresi ekonomik nuk është hamendësim e as rastësi. Ai është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë. Shifrat dhe indikatorët më lart janë dëshmia jonë për këtë”, kishte thënë Kurti.
Kreu i ekzekutivit i referohej një rritjeje të punësimit prej 40 mijë vendeve të fundit prejse është në zyrën e kryeministrit në mars të vitit 2021.
Po ashtu fliste edhe për rritje të eksporteve e të qarkullimit të biznesit.
Opozita këtë pretendime të zhvillimit ekonomik i ka cilësuar si “propagandë”, duke thënë se janë të dhëna nominale.
GDP në ekonomi ndahet në nominale dhe reale, ajo nominale e përfshin edhe inflacionin që në thelb e ulë fuqinë blerëse dhe e rrit qarkullimin formal.
Por Qeveria edhe në vitin 2021 ishte krenuar me një rritje ekonomike dyshifrore që për bazë krahasuese e kishte vitin 2021, një e treta e atij viti ishte bllokim total për shkak të pandemisë COVID-19.