18 kandidatë në garë për pozitën e kryeshefit të Telekomit

Në garë për ta drejtuar Telekomin e Kosovës kanë aplikuar 18 kandidatë, ndërsa në garë për detyrën e zyrtarit të Financave dhe Thesarit janë 6 persona.

Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së zëdhënësit të Telekomit, Fadil Lepaja duke shtuar i tërë procesi do të monitorohet nga Projekti i Ambasadës Britanike.

“Në lidhje me konkursin e mbyllur tashmë, për pozitën e KE dhe ZKFTH, ju njoftoj se deri më tani janë pranuar 18 aplikacione për pozitën e KE dhe 6 aplikacione për atë të ZKFTH. Nëse eventualisht arrin edhe ndonjë aplikacion tjetër përmes postës, i postuar në afat ligjor, i njëjti do të përfshihet”, tha Lepaja.

Reklama e sponzorizuar

“Bordi i Drejtoreve i Telekomit të Kosovës është duke e bërë organizimin e procesit të rekrutimin sipas legjislacionit përkatës dhe duke u kujdesur që procesi të jetë transparent. Si jeni të njoftuar, i tërë procesi do të monitorohet nga BDO, partneri i jashtëm zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese, konform memorandumit të bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Aktualisht Telekomi udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës, Burbuqe Hana.

Mandati i kryeshefit ekzekutiv dhe i zyrtarit të Financave në këtë ndërmarrje është 3 vjet.