Dritaret që prodhojnë energji elektrike

Shkencëtarët zviceranë po projektojnë panele diellore transparente gjithnjë e më efikase. E gjithë drita natyrore që hyn përmes dritareve, mund të vijë dita që të vlejë shumë më tepër sesa thjeshtë për ndriçim.

Shkencëtarët në Zvicër kanë arritur një rekord të ri të efikasitetit për qelizat transparente diellore, duke i hapur rrugën krijimit të dritareve që prodhojnë energji elektrike, të cilat mund të ndihmojnë në furnizimin me energji të shtëpive dhe pajisjeve tona.

Të njohura gjithashtu si qelizat Grätzel, qelizat diellore të ndjeshme ndaj ngjyrave (DSC) janë një lloj qelizash fotovoltaike me kosto të ulët, të cilat përdorin një ngjyrues të fotosensitiv të integruar në sipërfaqen e një gjysmëpërçuesi për të kthyer dritën e dukshme në energji.

Reklama e sponzorizuar

Versionet e mëparshme të DSC-ve mbështeteshin kryesisht në rrezet direkte të diellit, por shkencëtarët në École Polytechnique Fédérale de Lausanne (EPFL) kanë gjetur një mënyrë për të bërë foto-sensitizues transparentë, të cilat janë molekula që mund të aktivizohen nga drita dhe që mund të “absorbojnë” dritën në të gjithë spektrin e dukshëm.

“Gjetjet tona hapin rrugën për ta bërë më të thjeshtë aksesin e DSC-ve me parametra të lartë dhe ofrojnë perspektiva premtuese për zbatimin e tyre në praktikë, duke siguruar furnizim me energji elektrike dhe duke zëvendësuar bateritë për pajisjet elektronike me konsum të ulët, të cilat përdorin dritën e mjedisit si burim energjie,” shkruajnë autorët e studimit të botuar në revistën shkencore Nature.

Panele diellore transparente

DSC-të janë transparente, elastikë dhe mund të prodhohen në një gamë të gjerë ngjyrash me një kosto relativisht të ulët. Këto panele diellore të tejdukshme janë duke u përdorur në xhamat e sipërm të ndërtesave, në serra dhe në fasadat prej xhami.

Në vitin 2012, Qendra e Konventave SwissTech zbatoi për herë të parë teknologjinë DSC në një ndërtesë publike. Në vitin 2017, Shkolla Ndërkombëtare e Kopenhagës përuroi ndërtesën e saj të re me afërsisht 12,000 panele diellore transparente me nuanca blu, të cilat përdorin të njëjtën teknologji DSC.

Ato ofrojnë rreth 300 megavat orë (MWh) të energjisë elektrike në vit, duke plotësuar më tepër se gjysmën e nevojave vjetore të shkollës për energji.

Një teknologji e paneleve diellore transparente me efikasitet 30%.

Pavarësisht faktit se dritaret që gjenerojnë energji elektrike kanë qenë në treg prej disa vitesh, një prej ankesave më të përsëritura ishte kapaciteti i tyre i kufizuar për të prodhuar energji elektrike, krahasuar me panelet diellore tradicionale.

Zbulimi i ri nga ekipi në EPFL së shpejti mund të ndihmojë në kapërcimin e kësaj pengese. Falë një modeli të ri molekular, ata kanë rritur efikasitetin e konvertimit të energjisë së DSC-ve, thënë ndryshe, përqindjen e energjisë diellore që reflekton mbi to dhe që shndërrohet me sukses në energji elektrike të përdorshme. Efikasiteti ka tejkaluar nivelin 15% për rrezet e drejtpërdrejta të diellit dhe ka arritur deri në 30% në kushtet e ndriçimit ambiental.

Për referencë, panelet diellore që tregtohen aktualisht kanë efikasitet mesatar prej rreth 20%. DSC-të e gjeneratës së re kanë treguar gjithashtu “stabilitet operacional afatgjatë” prej të paktën 500 orësh.

Materialet që shndërrojnë dritën e diellit në energji elektrike kanë një potencial të madh për të përmbushur nevojat në rritje të planetit për teknologji me kosto efektive për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme. Dritaret prej xhami kanë një potencial tepër të madh. Imagjinoni nëse qiellgërvishtësit mund të shndërrohen në stacione vertikale të prodhimit të energjisë diellore!

Në vitin 2017, një ekip në Universitetin Shtetëror të Miçiganit që zhvilloi një lloj të ri të përqendruesve të rrezeve diellore, të cilat krijonin energji diellore kur vendoseshin në dritare, vlerësoi se teknologjitë e paneleve diellore transparente mund të sigurojnë rreth 40% të kërkesës për energji në Shtetet e Bashkuara.

Nëse kjo kombinohet me njësitë diellore që vendosen në çati dhe me teknologjinë e duhur të ruajtjes, raporti parashikoi se kjo përqindje mund të shkojë në pothuajse 100%. Në Europë, energjia diellore përbënte 12.2% të energjisë elektrike të prodhuar në BE këtë verë, përqindja më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Bazuar në tendencat aktuale, ajo ka potencialin për të përmbushur 20% të kërkesës për energji elektrike në BE deri në vitin 2040, sipas Komisionit Europian. Shumica e energjisë diellore të planetit aktualisht nuk shfrytëzohet. Por, çfarë do të ndodhte nëse çdo dritare rreth nesh do të kishte mundësi të mblidhte energji diellore dhe ta kthente atë në energji elektrike?  /Euronews/