Pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të ketë efekte afatgjata në furnizimin me energji dhe te tregjet, sipas rezultateve nga një raport i ri.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha se bota po përballet me “krizën e parë globale të energjisë”.
Ajo shtoi se faturat e papërballueshme të energjisë mbeten një problem i madh, pasi janë rritur si rezultat i kufizimit të eksporteve të naftës dhe të gazit.
Por, kriza duhet të shihet gjithashtu si një pikë kthese, e cila do të sjellë përshpejtimin e tranzicionit të botës drejt energjisë së gjelbër.
“Me problemet e pandërprera gjeopolitike dhe ekonomike, tregjet e energjisë mbeten jashtëzakonisht vulnerabël dhe kriza shërben si një kujtesë për brishtësinë dhe paqëndrueshmërinë e sistemit aktual global të energjisë.”
“Barra më e rëndë po bie mbi familjet e varfra, ku një pjesë më e madhe e të ardhurave po shpenzohet për energjinë”, paralajmëroi raporti.
Agjencia me qendër në Paris ka përllogaritur se vlera e shpenzimeve qeveritare për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve aktualisht është 550 miliardë dollarë në shkallë globale dhe pritet të rritet akoma më tej, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha se politikat më efektive për të mbrojtur konsumatorët nga ndikimi i kostove në rritje dhe nga ndryshimet në infrastrukturën e energjisë, janë shfaqur në shtete të tilla si: SHBA-të, Japonia dhe Koreja.
Raporti përmendi gjithashtu skemën REPowerEU, e cila synon të arrijë pavarësinë e vendeve të Bashkimit Europian (BE) nga energjia ruse deri në vitin 2030.
Agjencia parashikon që pjesa relative e Rusisë në tregtinë globale të energjisë do të bjerë nga 20% që është aktualisht, në 13% deri në vitin 2030.
Raporti thotë gjithashtu se për herë të parë, parashikimet e bazuara te çmimet aktuale dhe politikat e qeverive tregojnë se kërkesa globale për çdo lëndë djegëse fosile ose do të rritet, ose do të qëndrojë në të njëtat nivele.
“Sipas parashikimeve tona, përdorimi i qymyrit do të bjerë brenda disa viteve të ardhshme, kërkesa për gaz natyror do të arrijë një nivel të qëndrueshëm deri në fund të dekadës, ndërsa rritja e shitjeve të automjeteve elektrike do të thotë se nivelet e kërkesës për naftë do të bien në mesin e viteve 2030”, thuhet në konkluzionet e raportit.
Edhe pse sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Europës ndaj importeve të naftës ruse nuk arritën të ulin kërkesën nga India dhe nga Kina këtë vit, raporti zbuloi se konflikti në Ukrainë ka përshpejtuar investimet në burimet më të gjelbra të energjisë.
Vendet që kanë rënë dakord për të arritur nivelin zero të emetimeve neto, që do të thotë se ato nuk do të shtojnë sasinë e gazeve serë në atmosferë, deri në vitin 2050 përfshijnë: Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë, Korenë, Kanadanë dhe BE-në.
Megjithatë, raporti paralajmëron gjithashtu se, për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2050, investimet për energjinë e pastër do të duhet të jenë mbi 4 trilion dollarë deri në vitin 2030. Në nivelet aktuale, parashikohet se do të arrihet vetëm gjysma e kësaj shifre./BBC