BE paralajmëron: Eurozona do të bjerë në recesion këtë dimër, të përgatitemi për ‘muaj të vështirë’

BE-ja paralajmëroi të premten se eurozona do të bjerë në recesion këtë dimër pasi Brukseli rriti parashikimet e inflacionit për 2022 dhe 2023 për shkak të çmimeve të larta të energjisë. Europa është duke u rrëmbyer nga valët tronditëse ekonomike të lëshuara nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, të cilat kanë nxitur një rritje të kostove të energjisë dhe kanë goditur kuletat e konsumatorëve në mbarë kontinentin.

Krahu ekzekutiv i BE-së tha se rritja e pasigurisë dhe çmimet “pritet të çojnë” eurozonën dhe shumicën e shteteve anëtare të bllokut në recesion në tremujorin e fundit të këtij viti.

“Tkurrja e aktivitetit ekonomik është vendosur të vazhdojë në tremujorin e parë të 2023. Rritja pritet të kthehet në Europë në pranverë”, tha Komisioni Europian. “Me erërat e forta të kundërta që ende frenojnë kërkesën, aktiviteti ekonomik pritet të zbutet, me rritjen e PBB-së që do të arrijë në 0.3 % në vitin 2023”.

Reklama e sponzorizuar

Brukseli parashikoi se Gjermania, ekonomia më e madhe e BE-së, do të kishte më të keqen nga vendet anëtare me një tkurrje prej 0.6 % vitin e ardhshëm. Rritja e përgjithshme e PBB-së së eurozonës për vitin 2022 u vlerësua në 3.2 % pas muajve të hershëm të fortë të vitit.

Por komisioneri i ekonomisë i BE-së, Paolo Gentiloni, tha se “ndikimi i çmimeve të larta të energjisë, inflacioni i shfrenuar, tani po e bëjnë dëmin e tyre”. “Kemi disa muaj të vështirë përpara”, tha Gentiloni. Ai paralajmëroi se “potenciali për ndërprerje të mëtejshme ekonomike për shkak të luftës së Rusisë nuk është i shteruar”.

Parashikimi i dobët erdhi pasi komisioni rriti ndjeshëm parashikimet e tij për inflacionin në këtë dhe vitin e ardhshëm. Ai tha se inflacioni i eurozonës pritej të qëndronte në 8.5 % për vitin 2022, një pikë më e lartë se parashikimi i mëparshëm dhe 6.1 % në vitin 2023, mbi dy pikë më i lartë se sa ishte parashikuar më parë.

“Inflacioni ka vazhduar të rritet më shpejt se sa pritej, por ne besojmë se kulmi është afër. Me shumë mundësi në fund të këtij viti,” tha Gentiloni. “Ne po projektojmë një ulje shumë graduale të inflacionit sepse inflacioni vitin e ardhshëm ende parashikohet të jetë mjaft i lartë.

Ai paralajmëroi megjithatë se inflacioni mund të përfundojë dy pikë më i lartë në vitin 2023 nëse BE-ja “dështon të përgatitet” në mënyrë adekuate paraprakisht për dimrin e ardhshëm duke mbushur rezervat e gazit. Parashikimi bazë e vendos inflacionin në 2024 në 2.6 %, ende më i lartë se objektivi i Bankës Qendrore Europiane (BQE) prej 2 %.

BQE-ja në tetor parashikoi se një recesion ishte në rrugë e sipër, pasi njoftoi një tjetër rritje të madhe të normës së interesit në përpjekje për të frenuar inflacionin e nxitur nga pasojat e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Presidentja e bankës Christine Lagarde tha javën e kaluar se një recesion “i butë” i eurozonës po afrohej, por nuk do të mjaftonte për të ulur inflacionin rekord.

Gentiloni tha se një “pikë e ndritshme” mbetet elasticiteti i tregut të punës në BE dhe se pritej të kishte vetëm një rritje “të moderuar” të papunësisë përpara një rënie në 2024. Deficiti i përgjithshëm i buxhetit të qeverisë pritet të rritet përsëri nga 3.4 % në 2022 në 3.6 % në 2023 ndërsa BE-ja debaton për reformimin e rregullave të saj fiskale./Scan tv/