Ekzekutivi i Bashkimit Europian propozoi një kufi të çmimit të gazit në 275 euro për megavat orë për vendet anëtare.
Ideja për vendosjen e kufirit të cmimit të gazit ka përcarë vendet e BE-së në debate që kanë zgjatur disa muaj, dhe diplomatët shprehen se kufiri i propozuar së fundmi nuk ka shumë gjasa të gjejë mbështetje. Gjithsesi ministrat europianë të energjisë do të mblidhen për të diskutuar për temën të enjten.
Komisionerja për energjinë në BE, Kadri Simson u shpreh se vendosja e kufirit të cmimit për gazin do të mbrojë njerëzit dhe sipërmarrjet nga rritjet ekstreme të cmimeve. Nëse ky propozim miratohet nga vendet anëtare, kufiri i cmimit do të hyjë në fuqi që nga 1 janari i vitit 2023.
Gjatë muajve të debatit rreth mënyrës se si duhet të menaxhohet rritja e cmimit të gazit, shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës dhe ndërprerja e furnizimit nga Rusia, ata që kundërshtojnë idenë e vendosjes së një kufiri për cmimin shprehen se kjo mund të cojë në rritjen e konsumit. Por dhe mund të vështirësojë furnizimin si dhe të shkaktojë rreziqe ligjore për kontratat ekzistuese.
Por sipas Simson mekanizmi është “projektuar me kujdes për të qenë efektiv, duke mos rrezikuar sigurinë e furnizimit, funksionimin e tregjeve të energjisë të BE-së dhe stabilitetin financiar”. Ajo shtoi se propozimi nuk mund të konsiderohet një ndërhyrje rregullatore për të vendosur tregun e gazit në një nivel artificialisht të ulët.
Përkundrazi, ky është një mekanizëm i fundit për të parandaluar dhe nëse është e nevojshme, për të adresuar episodet e çmimeve të tepërta të gazit, të cilat nuk janë në përputhje me tendencat e çmimeve globale.
Diplomatët europianë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se tavani i propozuar ka të ngjarë të zhgënjejë shumicën e shteteve të BE-së që kanë kërkuar një kufi prej muajsh. Një diplomat nga grupi në favor të një kufiri tha se ata kishin pritur një kufi më të ulët prej rreth 150-180 euro për megavat orë, si dhe që kufiri të aktivizohej disa herë në vit. /Scan tv/