BQK paralajmëron “përshpejtim të rritjes së normave të interesit” nga bankat

Banka Qendrore e Kosovës

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka paralajmëruar rritje të përshpejtuar të normave të interesit nga bankat në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

Në raportin “Vlerësimi tremujor i ekonomisë”, për tremujorin e dytë 2022, konfirmohet se tashmë veç ka ndodhur rritje e kamatave nga bankat, përcjell Buletini Ekonomik.

“Si masë për menaxhimin e rrezikut në rritje nga inflacioni, pothuajse të gjitha bankat kanë rritur, apo në rast të disa prej bankave kanë filluar, aplikimin e normave variabile të interesit, e që kryesisht janë të bazuara në normën EURIBOR. Normat e interesit në kredi, të cilat në vitet e fundit kishin shënuar rënie graduale, në vitin 2022 ndërprenë trendin rënës, dhe në tremujorin e dytë të vitit 2022 u vërejt rritje margjinale, e që pritet gradualisht të përshpejtohet gjatë periudhave në vazhdim”, thuhet ndër të tjera në raportin e BQK-së.

Reklama e sponzorizuar

Në qershor 2022, norma e interesit në kredi ishte 6.0 përqind, kurse ajo për depozita në 1.7 përqind, duke ngushtuar margjinën kredi-depozitë në 4.3 pikë përqindje.

Në raport thuhet se dinamika e normave të interesit në kredi dhe depozita në vitin 2022, u ndikua nga zhvillimet në nivel global, ku pjesa më e madhe e bankave qendrore aplikuan politikë monetare të shtrënguar si kundërpërgjigje ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

Saktësisht, rritja e normave të interesit të aplikuara nga sektori bankar u ndikua dhe pritet të ndikohet tutje deri në një masë nga faktorë jashtëm si rritja e normave bazë të interesit nga BQE, si dhe nga faktorë vendor si kampanjat për tërheqjen e depozitave, sidomos nga bankat me kapital vendor dhe degët e bankave të huaja. /Buletini Ekonomik/