Britani, fatura vjetore e energjisë mbi 4 mijë paund

Londër-kryeqyteti i Britanisë së Madhe

Rregullatori britanik i energjisë “Ofgem” bëri të ditur se kufiri i çmimit për faturat mesatare vjetore për energjinë që konsumojnë familjet do të rritet me rreth 21%: më shumë se 4 mijë paund. Kjo faturë do të mbetet e pandryshuar nga janari i 2023-shit deri në muajin mars të po këtij viti.

Megjithatë familjet nuk do të jenë të detyruara të paguajnë këtë shumë pasi kufiri i çmimit të “Ofgem” është zëvendësuar nga një garanci çmimi e mbështetur nga qeveria e vendosur në 2.500 paund në vit për konsum mesatar deri në fund të marsit 2023.

Masa e cila synon të mbrojë konsumatorët përballë goditjes ekonomike për shkak të luftës në Ukrainë, vjen në një moment që Britania e Madhe po përjeton një recesion të gjatë. Njoftimi i “Ofgem” nënkupton se vendimi i qeverisë do t’i kushtojë familjeve britanike më shumë se 1.700 paund në vit, krahasuar me atë që do të duhej të paguanin nën kufirin e rregullatorit. Garancia e çmimit të qeverisë rritet me një mesatare prej 3 mijë paund në vit nga 1 prill deri në mars 2024-ën.

Reklama e sponzorizuar

Analistët në vend shprehen se vendosja e kufirit për çmimin e gazit dhe të energjisë elektrike për familjet britanike për dy vitet e ardhshme mund të kushtojë deri në 140 miliard paund, në një skenar ekstrem.

Çmimet e energjisë në Europë filluan të rriten pasi bota doli nga kufizimet e covid 19 dhe më pas u rritën sërish në shkurt pas pushtimit rus të Ukrainës. Si rezultat, kostoja e gazit me shumicë është rritur vazhdimisht dhe çmimi që furnizuesit duhet të ngarkojnë për njësi energjie është rritur ndjeshëm, duke bërë që qeveria të ndërhyjë në ndihmë të konsumatorit.

Shumë kompani britanike të energjisë, që shpesh furnizojnë me gaz dhe energji elektrike shtëpitë dhe sipërmarrjet, kanë luftuar gjatë gjithë kohës me rritjen e kostos së energjisë me shumicë.

Trembëdhjetë furnizues, me rreth 2 milionë klientë, kanë falimentuar që nga fillimi i shtatorit 2021. /Scan tv/