Depozitat e shqiptarëve po ‘euroizohen’ në të gjithë Shqipërinë

Fotografi ilustruese

Totali i depozitave bankare po vazhdon të rritet edhe këtë vit në të gjitha qarqet e vendit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit shtator totali i depozitave bankare shënoi një rekord të ri, duke kaluar për herë të parë vlerën e 1.5 trilionë lekëve.

Krahasuar me një vit më parë, totali i depozitave bankare është rritur me 8%. Ritmet e rritjes paraqiten më të ngadalësuara krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kur totali i depozitave bankare rezultonte në rritje me 10.9%. Megjithatë, pavarësisht inflacionit të lartë dhe rritjes së kostos së jetesës, për momentin kursimet në ekonominë shqiptare vazhdojnë të rriten.

Nga ana tjetër, diferencat në rritjen e depozitave ngelen të konsiderueshme mes qarqeve të ndryshme. Në fund të tremujorit të tretë, qarqet me rritjen më të lartë të depozitave ishin Lezha, me 11.7%, Durrësi, me 10.4% dhe Vlora, me 9.3%. Rritja e lartë në këto qarqe mund të interpretohet në një pjesë të konsiderueshme si e lidhur me turizmin. Ndërkohë, qarqet me rritjen më të ngadaltë të depozitave ishin Fieri, me 4%, Elbasani, me 5.1% dhe Korça, me 5.4.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, ajo që është e dukshme për pothuajse të qarqet e vendit është një rritje shumë më e lartë e depozitave në valutë të huaj krahasuar me depozitat në lekë. Me përjashtim të Shkodrës, ku depozitat në lekë dhe ato në valutë të huaj janë rritur në përmasa pothuajse të barabarta, në të gjitha qarqet e tjera depozitat në valutë të huaj kanë normë rritje dukshëm më të larta.

Qarqet me rritjen më të lartë të depozitave në valutë të huaj janë Lezha, me 16.2% (depozitat në lekë në këtë qark janë rritur me 6.6%), Durrësi, me 15.6% (në lekë rritja është 4.8%), Tirana, me 12.9% (në lekë rritja është 1.8%) dhe Vlora, me 11.9% (në lekë rritja është 5.8%).

Shifrat tregojnë qartë se kursimet e shqiptarëve po orientohen gjithnjë e më shumë nga valutat e huaja. Në fundin e muajit shtator të këtij viti, depozitat në valutë të huaj përbënin 53.6% të totalit. Depozitat në valutë të huaj dominohen kryesisht nga euro, megjithëse agjentët e këmbimit valutor vërejnë edhe një rritje të konsiderueshme të prurjeve në paundë britanikë.

Rritja e depozitave në euro është një tregues i shtimit të prurjeve valutore në ekonominë shqiptare. Rritja e turizmit dhe e eksportit të mallrave dhe shërbimeve e ka ngushtuar ndjeshëm deficitin e llogarisë korrente këtë vit, ndërsa investimet e huaja direkte paraqietn në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Kjo tendencë është reflektuar edhe në kursin e këmbimit të euros me lekun, që këtë vit ka prekur nivelet më të ulëta historike.

Gjithashtu, perceptimi i agjentëve të tregut financiar është se flukset informale të valutës ngelen në nivele të larta, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ekonomi, nëpërmjet mbështetjes së konsumit, investimeve (sidomos në pasuri të paluajtshme) ushtrimit të presioneve mbiccmuese në kursin e këmbimit valutor dhe në shtimin e rezervave të ekonomisë në valutë të huaj dhe sidomos në monedhën europiane. /Monitor.al/

Burimi: BSH