Dhoma e Tregtisë kërkon nga Qeveria përkrahje pa kushtëzime të punëtorëve të sektorit

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) e ka përshëndetur pjesërisht vendimin e marrë nga Qeveria gjatë muajit shtator për përkrahje të punëtorëve të sektorit publik dhe privat, teksa ka kundërshtuar edhe një herë vendimin për kushtëzimin e përkrahjes së punëtorëve të sektorit privat me ngritje të pagave nga ana e bizneseve, kushtëzim ky që nuk i është vendosur punëtorëve të sektorit publik.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës duke vlerësuar situatën e rënduar të bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat si pasojë e goditjes nga pandemia Covid-19, luftës në Ukrainë, rritjes enorme të çmimeve të produkteve të shportës familjare, naftës, gazit dhe shumë produkteve të tjera kërkon nga kryeministri dhe Qeveria, përkrahje direkte dhe pakushtëzime për punëtorët e sektorit privat”, ka theksuar Skënder Krasniqi, kryetar i DHTIK-së në konferencë media.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministria e Financave që të bëhet ekzekutimi i menjëhershëm apo në dy pjesë për punëtorët e sektorit privat në shumën prej 200 eurove, ashtu siç është duke ju dhënë punëtorëve të sektorit publik.

Reklama e sponzorizuar

Teksa po kërkojnë dialog të drejtpërdrejt me qeverinë  për problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset, në anën tjetër DHTIK vazhdon të këmbëngulin në kërkesën për heqjen e TVSH-së.

Hamdi Malushaj tha se shteti duhet ta ndryshojë mendësinë e  zhvillimit përmes sektorit privat.

“Sektori publik i nevojshëm por shpenzues. Ndër vite është e njëjta politik, ku në Kosovë shihet vetëm sektori publik si zhvillues i vendit. Sot jemi në hall, ku nuk kemi njerëz për punë, e ndërkohë kemi papunësi të madhe. Sektori privat është burim i mjeteve dhe i buxhetit. Kanë filluar edhe kompanitë të shpërngulen përpos individëve. Kanë hapur kompani me Gjermani e Zvicër”, ka theksuar Malushaj.

Sipas tij Kosova ka qenë i vetmi vend që në pandemi sektori publik i kanë marr pagat e plota, ndërsa sektori privat i ka bartur të gjitha pasojat.

“Politikat ndaj biznesit janë të paqarta në zhvillimin e vendit”, ka shtuar ai.

Drejtuesit e DHTIK-së kanë bërë të ditur se në sektorin privat janë 250 mijë punëtorë, të cilët me punën e tyre mbushin buxhetin e shtetit, nga i cili marrin paga edhe punëtorët e sektorit publik.