Falimentimi i bujshëm i FTX e ka bërë më se të domosdoshëm rregullimin e sektorit të kriptove dhe monitorimi i platformave të tilla do të jetë dhe fokusi kryesor për vitin 2023.
Kryetari i ri i rregullatorit global të letrave me vlerë, Jean – Paul Servais, u shpreh se rregullimi i platformave të kriptove mund të bazohet në parime nga sektorë të tjerë që merren me konflikte interesi. Si për shembull agjencitë e vlerësimit dhe prodhuesit e standarteve të tregut, pa pasur nevojë që të fillohet nga e para.
Kriptoasetet si Bitcoin kanë vite që ekzistojnë, por rregullatorët kanë refuzuar të ndërhyjnë për të vendosur rregulla të reja. Por skandali i FTX, themeluesi i të cilit aktualisht përballet me një milion kreditorë dhe me një humbje totale prej miliarda dollarësh, do të ndihmojë në ndryshimin e kësaj situate.
Sipas Servais kjo ndjesi e ndërhyrjes së menjëhershme nuk ekzistonte deri në tre vjet më parë. Por për momentin disa njerëz ende nuk mendojnë se kripto është një problem dhe rrezik i rëndësishmë në nivel ndërkombëtar.
IOSCO, Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë, e cila koordinon rregullat për vendet e G20-ës dhe të tjerët, ka vendosur tashmë parime për rregullimin e monedhave të qëndrueshme, por tani fokusi është në platformat që i tregtojnë ato.
Në financat e zakonshme, ekziston një ndarje funksionale midis aktiviteteve të tilla si brokerimi, tregtimi, banka dhe emetimi, secila me kodin e vet të sjelljes dhe masat mbrojtëse.
“Konglomeratet” e kriptove si FTX janë shfaqur për të shërbyer në role të shumta si ndërmjetësimi, kujdestaria, tregtia dhe emetimi i tokenave, të gjitha nën një çati, gjë që krijon konflikte interesi, sipas Servais.
IOSCO me bazë në Madrid, ose Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë, është një organizatë ombrellë për mbikëqyrësit e tregut si Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbime në Shtetet e Bashkuara, Bafin në Gjermani, Agjencia Japoneze e Shërbimeve Financiare dhe Autoriteti i Sjelljes Financiare në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat angazhohen për zbatimin e rekomandimeve të organit./Scan tv/