Rezerva Federale ka rritur normën e saj bazë të politikës monetare me 0.75 pikë përqindje të mërkurën për të katërtën herë radhazi, teksa vazhdon betejën e saj të gjatë për të reduktuar inflacionin e lartë në SHBA.
Pas takimit të tij dy-ditor, Komiteti Federal i Tregut të Hapur rriti normën e fondeve federale duke e çuar atë në një interval të ri prej 3.75 për qind deri në 4 për qind. Kështu, Fed po intensifikon kontrollin e vet në një ekonomi që po tregohet më elastike se sa pritej përballë këtyre shtrëngime agresive të politikës monetare.
Vendimi i Fed-it për të vazhduar me rritjet e mëdha të normës vjen në kushtet kur po bëhet gjithnjë e më e dukshme se problemi me inflacionin, më i madhi në të gjithë dekadat e fundit, nuk është duke u përmirësuar, pavarësisht nga shenjat se kërkesa e konsumatorëve ka filluar të reduktohet dhe aktiviteti në tregun e pasurive të paluajtshme është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të peshës së normave të larta të kredive hipotekore, të cilat javën e kaluar u rritën duke kaluar shifrën 7 për qind.
Të dhënat e publikuara që nga mbledhja e shtatorit tregonin se rritja e çmimeve të konsumit po përshpejtohet përsëri për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh, duke sugjeruar se presionet inflacioniste po rrënjosen në ekonomi. Tregu i punës mbetet gjithashtu me një kërkesë të lartë për punonjës, gjë e cila është reflektuar te rritja e fortë e pagave dhe hapjet e vendeve të reja të punës.
Vendimi i së mërkurës do ta zhvendosë normën e fondeve federale akoma më tej në një territor “kufizues”, që do të thotë se do të ndikojë në reduktimin e aktivitetit ekonomik.
Duke pasur parasysh se sa shumë i ka rritur normat Fed deri më tani, nga afër zeros që ishin në mars, zyrtarët e lartë dhe ekonomistët po bëjnë diskutime gjithnjë e më urgjente rreth kohës se kur banka qendrore e SHBA duhet të ngadalësojë ritmin e rritjeve të normës, veçanërisht duke llogaritur faktin që ndryshimet në politikën monetare marrin kohë për të dhënë efektin e tyre në ekonomi.
Fed prezantoi fillimisht idenë për ngadalësimin e rritjes së normave “diku nga” korriku, dhe parashikimet e publikuara në takimin e shtatorit tregojnë se ka mbështetje për një lëvizje të tillë në dhjetor. Në takimin e shtatorit, shumica e zyrtarëve parashikuan që norma e fondeve të Fed do të arrinte në 4.4 për qind deri në fund të vitit, duke lënë të kuptohet se do të kishte një rritje më të ulët prej prej gjysmë pikë përqindjeje në muajin e ardhshëm.
Ekonomistët janë të shqetësuar se, nëpërmjet zgjatjes së programit të saj agresiv të politikave shtrënguese, Fed rrezikon të shkaktojë një rënie ekonomike më të rëndë sesa është e nevojshme, si dhe paqëndrueshmëri në tregjet financiare.
Disa vëzhgues të Fed paralajmërojnë se sinjalet e fundit nga tregu i bonove të qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat e bënë të nevojshme ndërhyrjen e Bankës së Anglisë, shërbejnë si një paralajmërim.
Megjithatë, kryetari i Fed, Jay Powell, do të jetë nën presion për të siguruar ekonomistët dhe investitorët se ngadalësimi i ritmit të rritjes së normave nuk nënkupton reduktmin e angazhimit për të frenuar presionet e çmimeve. Për këtë qëllim, shumë ekonomistë presin nga Fed që të mbështesë rritjet e normës, duke tejkaluar nivelin maksimal prej 4.6 përqind të planifikuar në shtator. Tashmë pritet të ketë një normë standarde të politikës monetare prej të paktën 5 për qind, për të zbutur inflacionin. /Financial Times/