Banka Qendrore e Kosovës këto ditë ka hapur konkursin për plotësimin e pozitës së Guvernatorit/es të BQK-së, pasi guvernatorit aktual, Fehmi Mehmetit, i skadon mandati në mars të vitit të ardhshëm.
Afati i fundit për aplikim në këtë konkurs është data 16 dhjetor 2022, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas njoftimit të bërë nga ana e BQK-së, emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar nga data 29 mars 2023 ose në datën e emërimit.
Ndër kriteret kryesore që kërkohen për ta merituar këtë pozitë të rëndësishme, janë: Integriteti dhe përgatitja universitare, të ketë minimum dhjetë (10) vite përvojë profesionale ose akademike në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështje juridike, të ketë njohuri në zhvillimin dhe implementimin e politikave të rëndësishme të lidhura me misionin, objektivat dhe detyrat e BQK-së, të ketë përvojë dhe aftësi menaxheriale, të përmbushë kërkesat nga neni 40 i Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe njohja e gjuhës angleze dhe gjuhëve tjera që paraqet përparësi për kandidatët.
Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit të përzgjedhur, do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të përzgjedhë një individ.
Ndërsa, miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidentja e Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit të BQK-së.
Të dhëna shtesë:
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë një CV me detaje dhe një letër motivuese përmes email adresës vijuese: paneli@bqk-kos.org ose në dorë në kovertë të mbyllur në Arkivin e BQK-së, ndërtesa e BQK-së, Rruga Garibaldi nr.33 në Prishtinë ose përmes postës në adresë të BQK-së: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (Shënim: për pozitën e Guvernatorit), Rruga Garibaldi nr. 33, 10000, Prishtinë, Kosovë.
“Vetëm kandidatët e përzgjedhur nga ana e Panelit do të thirren për intervistë”, thuhet në konkursin e hapur të BQK-së për pozitën e guvernatorit. /Buletini Ekonomik/