Komisioni për Ekonomi miraton Projektligjin me amendamente për vendosjen e çmimeve tavan në produktet bazike

Fotografi ilustruese

Komisioni parlamentar për Ekonomi ka miratuar Projektligjin së bashku me amendamentet për masat e përkohshme të produkteve bazike në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ky Projektligj ishte miratuar në lexim të parë javën që shkoi në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe është caktuar që me procedura të përshpejtuara, në një seancë të re më 8 nëntor të shqyrtohet në lexim të dytë.

Gjatë raportimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli kërkoi që të miratohet vendimi për zgjatjen për 30 ditë të masave emergjente me energji elektrike.

Reklama e sponzorizuar

“Siç e dini gjatë muajve të verës disa njësi të termocentraleve kanë qenë në remont dhe për pasojë kapacitetet tona nuk kanë mundur ta mbulojnë kërkesën. Pas kësaj është marr vendimi për shpalljen emergjente me rrymën. Duke qenë se situata nuk pritet të stabilizohet, mirëpo pritet që të vështirësohet gjatë muajve të dimrit, duke qenë se bien temperaturat e konsumi të rritet, me gjithë gjatë dy javëve te fundit kemi parë një ulje të çmimit në tregun evropian, por kjo do të jetë e përkohshme”, tha Rizvanolli.

“Duke marr parasysh vendimet e marra, si aksioni për sekuestrimin e pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave dhe disa të tjerave, atëherë pres që të miratohet vendimi për zgjatjen e masave emergjente me energjinë”, shtoi ajo.

Pa votat e opozitës, Komisioni miratoi vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furizimit me energji elektrike. Me propozimin e VV, ky vendim të shqyrtohet në seancën e 8 nëntorit.