BE-ja nga Rusia në muajin janar importoi 2,4 milionë bpd të naftës bruto dhe 1,4 milion bpd të produkteve të naftës, ndërsa në muajin tetor importoi 1,5 milion bpd të naftës bruto dhe 1 milion bpd të produkteve të naftës.
Shqetësimet për furnizimet me energji në Bashkimin Evropian (BE) janë shtuar pasi monopoli rus i tubacioneve ‘Transneft’ njoftoi se u ndërprenë dërgesat përmes tubacionit ‘Druzhba’, që transporton naftë përmes Ukrainës në Hungari, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tubacioni ‘Druzhba’, i njohur gjithashtu si Tubacioni i Miqësisë, është linja kryesore që transporton naftën ruse në pjesë të Evropës Lindore dhe Qendrore.
Dje, autoritetet ukrainase e informuan kompaninë ‘Transneft’ se kanë ndaluar dërgesat për shkak të një rënie të voltazhit në linjë. Pezullimi erdhi pas sulmit të dyshuar me raketa në fshatin Przewodow të Polonisë lindore, që ndodhet disa kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Më vonë, rrjedha e naftës rifilloi, megjithatë pezullimi i përkohshëm dhe përshkallëzimi i tensioneve në Evropën Lindore edhe njëherë fokusoi vëmendjen në tregtinë e naftës dhe gazit natyror midis BE-së dhe Rusisë, derisa blloku evropian lufton për t’u larguar nga karburantet fosile ruse pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.
BE-ja fillimisht në muajin gusht ndaloi blerjen, importin dhe dërgesat e qymyrit nga Rusia, me qëllim reduktimin e varësisë nga karburantet fosile ruse.
Në muajin qershor, këto sanksione u zgjeruan duke përfshirë edhe eksportet ruse të naftës. Si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve, liderët e BE-së ranë dakord të heqin dorë nga dërgesat e naftës bruto ruse deri më 5 dhjetor dhe nga dërgesat e produkteve të rafinuara ruse deri më 5 shkurt.
Ndërkaq, paketa e fundit e sanksioneve vendosi kufizimeve shtesë në transportin e naftës në vendet jo anëtare të BE-së mbi një çmim pragu të përcaktuar, kryesisht duke prekur transportin detar të Greqisë, administratën e Qipros Greke dhe Maltën.
Sipas raportit mujor të tregut të naftës të publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), BE-ja nga Rusia në muajin janar importoi 2,4 milionë fuçi në ditë të naftës bruto dhe 1,4 milion fuçi në ditë të produkteve të naftës, ndërsa në muajin tetor shënoi rënie duke importuar 1,5 milion fuçi në ditë të naftës bruto dhe 1 milion fuçi në ditë të produkteve të naftës.
Humbjet e BE-së në vëllimet e naftës bruto ruse janë kompensuar nga rritja e furnizimeve kryesisht nga Lindja e Mesme, por me kontribute edhe nga Afrika, Norvegjia, Brazili dhe Guajana.
Për vendet e BE-së përmes tubacionit të naftës u transportuan gjithsej 2,5 milionë fuçi të naftës bruto dhe 700 mijë fuçi të produkteve të naftës.
Me një gjatësi totale prej 5.500 kilometrash, duke përfshirë të gjitha degët, tubacioni ‘Druzhba’ është një nga rrjetet më të mëdha të tubacioneve të naftës bruto në botë. Tubacioni transporton naftë bruto nga Siberia, Uralet dhe Deti Kaspik në Bjellorusi, ku ndahet në degët veriore dhe jugore. /AA/