Shumica absolute e zërave që analizojnë situatën elektroenergjetike në vend, parashohin se do të ketë mungesë evidente të energjisë dhe sipas tyre, do të ishte fat i mirë të ketë sa më pak mungesë dhe sa më pak restriksione të rrymës në këta muaj. Gjithsesi, shpenzimi racional i rrymës, ose kursimi i këtij malli të shtrenjtë gjithnjë ku ka mundësi të bëhet, mbetet alternativa më e pranueshme, më e zbatueshme lehtësisht dhe me shumë efekte në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike.
Mehmet GJATA
Të gjitha kalkulimet, edhe të njohësve të mirë të zhvillimeve energjetike, edhe të inxhinierëve me përvojë në KEK, të mbështetura, gjithsesi, në kapacitetet ekzistuese te prodhimit të rrymës, janë goxha pesimiste sa i përket furnizimit me rrymë të konsumit të Kosovës gjatë ditëve dhe javëve të ftohta të dimrit që janë në prag. Shumica absolute e zërave që analizojnë situatën elektroenergjetike në vend parashohin se do të ketë mungesë evidente të energjisë dhe sipas tyre, do të ishte fat i mirë të ketë sa më pak mungesë dhe sa më pak restriksione të rrymës në këta muaj. Dhe këto mungesa të energjisë në Kosovë, praktikisht që tani kanë nisur të dalin në horizont.
Për të qenë më të saktë në këto parashikime do të akceptojmë shifra konkrete të disproporcionit evident prodhim-konsum i rrymës në vend, nisur që në këtë muaj. Në fillim të nëntorit, siç dihet, dhe siç ka qenë i njoftuar opinioni te ne, për shkaqe të një revizioni, ose verifikimi të stabilimenteve të termocentraleve Kosova B, një herë për disa ditë u tërhoq nga procesi i prodhimit blloku B1, ndërsa me t’u kthyer ai, për të njëjtat shkaqe në “out”, pokështu, për disa ditë shkoi B2-shi. Dhe për të gjitha këto ditë, 5-6 ditë mungoi prodhimi i B1-shit dhe pothuajse po kaq ditë i B2-shit, përkatësisht sistemit eklektroenergjetik për këto ditë i munguan diku rreth 300 megavatë-orë, përafërsisht aq sa është kapaciteti i blloqeve veç e veç të Kosovës B. Dhe mungesa e rrymës në konsumin e Kosovës, sidomos në ditët kur ishte në revizion B2-shi (është rikthyer në prodhim të shtunën, më 12 nëntor, pas disa ditësh sa ka zgjatur revizioni) ishte evidente.
Në këto ditë, që i bie në dhjetëditëshin e parë të nëntorit, me uljen paksa të temperaturave, edhe pse për këtë stinë ka pasur më shumë ditë akoma të ngrohta për rrethanat klimatike të vendit tonë, Kosova për shkak të rritjes së ndjeshme të konsumit kushtimisht është detyruar të importojë një sasi jo të vogël të rrymës.
Siç është raportuar, gjatë ditëve sa ka qenë në revizon të planifikuar B2, Kosova ka importuar deri në 235 megavatë-orë, ndërsa në orët e pikut edhe më shumë rrymë. Në këto ditë konsumi i energjisë elektrike në vend është sjellur nga 800 deri në 850 megavatë, ndërsa në orët e pikut edhe përtej. Dhe, faktet se do të mungojë energjia elektrike gjatë stinës së dimrit vazhdojnë të jenë të shumta.
Edhe pas rikthimit të B2-shit (e shtunë, 12 nëntor), pra edhe pasi u aktivizuan të gjitha kapacitetet aktuale të prodhimit që ka hë për hë Kosova – dy blloqe të termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2) dhe dy blloqe të Kosovës A (A3 dhe A4), të cilat bashkarisht prodhojnë diku rreth 780 megavatë-orë energji elektrike, plus një sasi simbolike nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës), Kosova ka vazhduar të importojë energji elektrike.
Importi i energjisë elektrike këtyre ditëve ka qenë i kushtëzuar thjesht nga mungesa e rrymës. Sepse, me uljen e temperaturave është ngritur ndjeshëm konsumi dhe ka tejkaluar për më shumë se 100 e sa megavatë prodhimin vendor.
Të martën (më 15 nëntor), bie fjala, sipas zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, konsumi i energjisë elektrike në Kosovë në disa orë ka shkuar përtej 900 megavatëve e në raste edhe 950 megavatë, ndërkohë që prodhimi vendor siç u tha më lartë, është diku te 780 megavatëshi. Në këtë mënyrë, siç tregojnë shifrat e prodhimit dhe të konsumit, që janë goxha në disproporcion, përkatësisht konsumi është ndjeshëm më i madh se prodhimi vendor. Kosova edhe të martën me të gjitha kapacitetet ekzistuese në proces të punës ka importuar rreth 100 megavatë-orë.
Dhe, nëse vazhdon të rritet kështu goxha vrullshëm konsumi, siç po ndodhë të rritet edhe në ditët akoma të ngrohta për rrethanat klimatike të Kosovës dhe për stinën e vjeshtës, Kosova së shpejti, me ardhjen e ditëve të acarta do të ketë mungesë të ndjeshme të rrymës. Dhe, dihen alternativat që na presin sa i përket sigurimit të energjisë elektrike të munguar. Ato janë reduktimet e kushtëzuara, importi me kosto të lartë dhe thuaja i papërballueshëm dhe kursimi i domosdoshëm i secilit konsumator. Gjithsesi, shpenzimi racional i rrymës, ose kursimi i këtij malli të shtrenjtë gjithnjë ku ka mundësi të bëhet, mbetet alternativa më e pranueshme, më e zbatueshme lehtësisht dhe me shumë efekte në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike.
Prandaj, nuk prajnë thirrjet e zyrtarëve dhe të KEDS-it, KOSTT-it e KEK-ut për ta racionalizuar shpenzimin e rrymës. Në ditët e para të vjeshtës fitohej përshtypja se pati sinjale në favor të “dëgjueshmërisë” së konsumatorëve kosovarë ndaj thirrjeve të zyrtarëve të shtetit dhe nëpunësve të kompanive prodhuese, shpërndarëse dhe të furnizimit për të kursyer energjinë elektrike. Sinjali i parë që fliste për vetëdijësimin e kosovarëve për të kursyer sadopak rrymën dhe për të qenë më racional në shpenzimin e këtij produkti tashmë super të shtrenjtë, ishte niveli i konsumit të energjisë elektrike në shkallë vendi.
Konsumi i përgjithshëm i rrymës në Kosovë, sipas zyrtarëve të KEDS-it, , pra në ditët e para të vjeshtës dhe me tendenca të tejdukshme të uljes së temperaturave, është diku rreth 750 megavatë- orë, ose pak a shumë ky konsum del të jetë sikundër në ditët e ngrohta të verës.
Rëndom, në konsumin e energjisë elektrike të Kosovës, ku dominojnë në përqindje të madhe konsumatorët e kategorisë së amvisërisë (sipas statistikave, më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë, me rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm), gjatë ditëve të vjeshtës, edhe në fillimvjeshtë pra, kur siç dihet, nisin të ulen temperaturat, në vendin tonë është rritur goxha ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike. Kjo për shkak të çmimeve të favorshme të rrymës, por edhe mungesës së përvojës dhe traditës për të kursyer në veçanti rrymën, që me ardhjen e ditëve të para më të ftohta në vendin tonë ka pasur ngritje evidente të konsumit të energjisë elektrike.
Ndërsa, sivjet, edhe pse pati edhe ditë të ftohta në fillim të tetorit, konsumi i energjisë elektrike, sipas të dhënave të KEDS-it, nuk ka pësuar ndryshime për t’u shënuar. 750 megavatë-orë konsum i rrymës ka dominuar në shumicën e ditëve të këtij viti. Por, tani shpërthimi i vruullshëm i rritjes së konsumit të rrymës këtyre ditëve (900-950 megavatë-orë), i kanë zbehur në masë të madhe pritshmëritë se kosovarët i kanë pranuar thirrjet e parreshtura, të përditshme të zyrtarëve dhe autoriteteteve të shtetit për kursim të rrymës, dhe masat e proklamuara zyrtare për ta racionalizuar shpenzimin e energjisë elektrike në këto rrethana të krizës energjetike në botë dhe të mungesës së rrymës së prodhuar nga kapacitetet e vendit. Ndërsa zhvillimet energjetike në vend, dhe mungesa evidente e pritshme e rrymës në muajt e acartë të dimrit duhet t’ua imponojnë kosovarëve vetëdijësimin rreth domosdosë për të kursyer rrymën dhe për të mësuar nga konsumatorët e shteteve të shumta të botës me tradita kursimi dhe në të cilat kursimi i rrymës është bërë kaherë zakon dhe i domosdoshëm.
Bota shumicë, edhe shtetet e fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht, në njëfarë mënyre, më shpejtë se sa është parashikuar nga njohësit e rrethanave dhe më lehtësisht se sa është pritur, kanë pranuar “regjimin” e kursimeve, të restriksioneve të energjisë elektrike, duke sakrifikuar dhe hequr dorë nga jeta me energji të bollshme dhe nga maniret për të shpenzuar pafundsisht edhe rrymën. Duhet ta pranojmë edhe ne tashmë këtë mënyrë të re jetese, sidomos në muajt e dimrit, kur siç po paralajmërohet nga autoritetet institucionale dhe nga prodhuesit dhe shpërndarësit e rrymës në vend, do të jetë “një dimër i vështirë”, me mungesë të energjisë së bollshme elektrike. Fundja, nuk kemi zgjidhje tjetër.
Në Kosovë në ditët e dimrit, pritet të rritet ndjeshëm konsumi i rrymës (vjet në ditët e acarta dhe në pik, konsumi disa herë ka arritur në 1,250-1,300 megavatë-orë. Dhe këtu nuk ka dilema. Llogaritë e thjeshta, tregojnë se kapacitetet ekzistuese të prodhimit të rrymës në Kosovë të stërvjetëruara (Kosova B me dy njësi prodhimi dhe Kosova A me blloqet A3 dhe A4) me diku rreth 780 megavatë-orë bashkarisht dhe kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme të Kosovës (hidrocentralet dhe prodhimi nga era) me energji simbolike (për shkak të mungesës së ujërave dhe të erës së bollshme, kapacitetet e rinovueshme të Kosovës vështirë përmbushin objektivat e projektuara të prodhimit), pasi nuk prodhojnë sasinë nevojshme të rrymës që në dimër jo në pak raste shkon, siç u tha më lartë, edhe në nivelin e frikshëm prej 1.300 megavatësh.
Këto llogari, po kështu bëjnë me dije troç se në rrethanat e ngritjes së konsumit në 1.250-1.300 megavatë-orë, Kosovës do t’i mungonin 300-350 megavatë, edhe po të punonin termocentralet e amortizuara përtej çdo limiti, në kushte ideale dhe pandërprerje. Por, kosovarët, i kanë fare të njohura restriksionet energjetike, madje edhe në ditët verore, si pasojë e rënies së njësive prodhuese nga procesi i prodhimit për pasojë të ndodhjes jo shumë të rralla të defekteve teknike në to. Kjo gjendje elektroenergjetike, pak a shumë, pritet të jetë gjatë dhjetorit, janarit dhe shkurtit. Kosova, pra, nuk do të ketë mjaftueshëm rrymë. Dhe për ta zbutur sadopak këtë mungesë dhe për të ndikuar paksa në ruajtjen e parasë edhe ashtu të mangët të shtetit tonë, duhet ta kursejmë rrymën, ditën dhe natën dhe kudo ku është e mundshme, edhe tani, e sidomos gjatë muajve të dimrit.
Racionalizimi i konsumit të energjisë elektrike, në radhë të parë, do të bëhej i efektshëm, po qe se kosovarët do të ngroheshin sa më pak me rrymë. Ky fakt dihet dhe është i verifikuar tashmë nga ekspertët.
“Apeli ynë i vazhdueshëm është që qytetarët mos të ngrohen me energji elektrike, sepse po vendosin që të ngrohen në mënyrë të pasigurt, pasi që jo vetëm Kosova por e gjitha Evropa është duke hyrë në situata të turbullta energjetike, të pa parashikueshme dhe nuk e dimë sa dhe si do të këtë energji elektrike”, ka thënë vazhdimisht këtyre ditëve zëdhënësi për media i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar disa herë gjatë këtyre javëve se “Kosovën e pret një dimër i vështirë”, për shkak të krizës energjetike. Ajo, duke arsyetuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji, ka theksuar madje se “duhet të ndërrohet edhe mënyra e ngrohjes, pra që të mos përdoret energjia elektrike për ngrohje”.
“Gjatë kësaj kohe kemi marrë disa vendime në bazë të masave emergjenteve, ku përveç ndalimit të prodhimit të kriptovalutave me energji elektrike që janë marrë në vendimin e parë, vendimet tjera kanë të bëjnë me masat në vijim: janë vendosur masa detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike, është ndaluar eksporti dhe ri-eksporti i produkteve të drurit dhe lëndëve djegëse, është shfuqizuar vendimi i vitit 2018 për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut, si dhe të gjitha këto janë bërë me rekomandim të komitetit teknik emergjent që është mbledhur rregullisht. Është marrë edhe një vendim që për qëllim të mbulimit të konsumit dhe zvogëlimit të energjisë elektrike është rekomanduar që KEK energjinë që e merr nga KESH i Shqipërisë t’ua ofrojë furnizuesit të shërbimit universal dhe KOSTT-it sipas kushteve të marrëveshjes për furnizim me shumicë të energjisë elektrike në përputhje me rregullat e tregut në fuqi”, ishte shprehur Rizvanolli.
Në vazhdën e nxitjes dhe stimulimit të kursimit të energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të subvencionojë edhe pajisjet efiçiente, përfshirë edhe stufat me dru. Në këtë kontekst, Ministria e Ekonomisë ka prezantuar një plan për mbështetjen financiare për blerjen e pajisjeve për ngrohje që shpenzojnë më pak energji elektrike. Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar edhe masa të tjera që stimulojnë dhe nxisin kursimin e rrymës, ndër to edhe subvencionimin shtesë për të gjithë ata konsumatorë që kursejnë energjinë elektrike. Do të ishte mirë të përmbushen këto premtime qeveritare dhe të zbatohen masat e proklamuara nga zyrtarët për kursimin e rrymës. Sido që të jetë, edhe pse kursimi i rrymës, që i bie restriksioni apo reduktimi i shpenzimeve të energjisë elektrike, nuk është aspak i preferuar nga qytetarët e të gjitha kategorive sociale, në mungesë të energjisë dhe parave për ta blerë atë me çmime të frikshme të shtrenjta, kosovarët duhet të kursejnë domosdo në dimrin e pritshëm. Fundja, nuk kanë alternative tjera të zgjedhin.
Me shpenzim racional të rrymës dhe me shmangien e rrymës për ngrohje, mund të zbutet goxha shumë mungesa e rrymës nga kapacitetet vendore. Në këtë kontekst, kosovarët duhet të tregojnë përfundimisht seriozitetin dhe vendosmërinë e tyre për ta racionalizuar shpenzimin e rrymës. Pra, “Po”-në e proklamuar për kursimin e enegjisë elektrike, ta qojnë deri në fund. Sepse, parashikimet për ditë të ngrysura elektroenergjetike edhe në këtë dimër për kosovarët janë goxha reale dhe mbështeten në shifrat prodhim-konsum të rrymës. Kosova pati edhe vjet në muajt e dimrit krizë të theksueshme elektroenergjetike, në mungesë të ndjeshme të rrymës. Prandaj, s’ka si të mos e ripërjetojë edhe në dimrin e afërt krizën e territ, aq më parë kur dihet që kapacitetet tona nuk përmbushin nevojat e konsumit të vendit në rritje gjatë stinës së dimrit dhe kur kihen parasysh çmimet enorme të rrymës në tregjet e botës.
Ndërsa, zyrtarët kompetentë nuk duhet rreshtur asnjë çast të vetëm së preokupuari për të ndërtuar me urgjenca dhe me çfarëdo çmimi një kapacitet elektroenergjetik të ri 400-500 megavatësh në bazë të qymyrit, ose disa kapacitete njëherësh të energjisë së rinovueshme, qoftë me erë, qoftë sosh solare, për ta stabilizuar njëherë e mirë gjendjen elektroenergjetike në vend. Është fare e pakuptueshme dhe absurde që Kosova, që “fle” mbi 13-14 miliarda tonelata thëngjill, të ketë potenciale të verifikuara dhe të identifikuara të energjisë së ripërtëritshme, dhe të mos ketë energji elektrike të mjaftueshme për një milionë e 7-8 qind mijë qytetarët e vetë. Kursimi i rrymës duhet të jetë zgjidhje e përkohshme, e sivjetshme. Ky vend ka nevojë për kapacitete të reja prodhuese elektroenergjetike, për ta stabilizuar sistemin energjetik të saj edhe për vitet e ardhshme. /Buletini Ekonomik/