Kuvendi i Kosovës me 64 vota pro, ka miratuar mbrëmë në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.
Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro
Kryeministri Albin Kurti përmes një shënimi në Facebook ka falënderuar deputetët për votimin e buxhetit, derisa shton se ky buxhet reflekton prioritetet e programit qeverisës.
“64 vota PËR në parim për buxhetin 3.2 miliardësh për vitin 2023. Falënderoj secilin deputet dhe secilën deputete që përmes votës së tij dhe të saj i dha sot mbështetje në lexim të parë buxhetit për vitin e ardhshëm që reflekton prioritetet e programit qeverisës e nga i cili përfiton qytetari dhe Republika”.
Kurti ka thënë se nga ky buxhet përfitojnë të gjithë.
“Më shumë për shëndetësinë me më shumë profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale. Më shumë për bujqësinë. Më shumë për kulturën, rininë dhe sportin dhe më shumë për arsimin”.
“Më shumë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve përmes më shumë çerdheve dhe më shumë edukatorë e staf për çerdhe. Më shumë për fëmijët nëpërmjet shtesave për ta dhe më shumë asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar”.
“Më shumë për mbrojtjen dhe sigurinë sepse më shumë për ushtrinë dhe policinë. Më shumë inspektorë. Më shumë rezerva shtetërore”.
“Më shumë për ndërmarrjet publike. Më shumë terminale doganore shtetërore. Më shumë për komunat. Buxheti për vitin tjetër, do të jetë më shumë për të gjithë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend Kurti ka thënë se janë të vetëdijshëm për situatën e rëndë ekonomike dhe energjetike, e cila është shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë, por që ky projektbuxhet është menduar që të vihet tërësisht në ndihmë të qytetarëve.