Kurti: Vetëm 21% e grave janë të përfshira në tregun e punës

Kryeministri Albin Kurti, ka marrë pjesë në publikimin e librit në gjuhën shqipe “Ekonomiksi Gjinor” të autores Joyce P. Jacobsen, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kurti, duke folur për kontributin e grave në shoqëri, tha se ata kanë dyfish vështirësi më shumë sesa burrat.

Sipas tij, shifra prej 21% e grave të përfshira në tregun e punës është e dëmshme për të ardhmen e vendit.

Reklama e sponzorizuar

“Gratë, ndryshe nga burrat pikënisjen e tyre qoftë të punësimit apo angazhimit nuk e kanë të njëjtë. Një grua ka dyfish vështirësi e barrë në angazhimin publik për shoqëri. Vetëm 21 për qind e grave të inkuadruar në tregun e punës në Kosovë është e dëmshme jo vetëm për të ardhmen e tyre, por edhe për të ardhmen e vendit tonë”, tha Kurti, teksa përmendi edhe ndihmën që Qeveria e tij e ka bërë përmes ndarjes së mjeteve me pako ekonomike.

“Kemi mbështetur punësimin e grave me masë kjo në të cilën kanë përfituar 3 500 gra dhe vajza. Kemi mbështetur biznese që janë në pronësi të grave në vlerë të subvencionimit afër gjysmë milioni euro. Që nga fillimi i skemës për nënat e reja deri më tani kemi rreth 200 mijë përfitues dhe 23 mijë për shtesat për nënat lehona. Po mbështesim strehimoret që në kuadër të tyre po mbështesin”.

Prodekanja e Fakultetit Ekonomik, Afërdita Berisha, tha se 66 për qind e stafit akademik në këtë fakultet janë gra, teksa shtoi se edhe numri i studentëve vajza është më i madh, raporton EO.

“Në literaturën e hershme për ofertën e punës as që bëhej fjalë për konceptin e përfshirjes së gjinisë në teori sepse ishin të padukshme para viteve 1960”.

“Sot me të drejtë mendohet se shtypja e grave është paragjykim irracional në shoqëri, burrat dhe gratë kanë role të ndryshme që kanë dallime biologjike, kulturore e shoqërore”, tha Berisha.