Ministria e Brendshme shkel ligjin për tenderin 2 milionësh, njoftohet edhe Prokuroria

Për një tender afro 2 milionë euro për ndërtimin objektit Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi del që Ministria Punëve të Brendshme me shkelje ligjore e ka shpërblyer kompaninë “ARBËRI –NS” SH.P.K. me kontratë.

Në tetor të këtij viti, për këto shkelje është njoftuar vet Zyra e Kryeministrit Albin Kurti e madje edhe u.d. Kryeprokurori, Besim Kelmendi. Ngriten dyshime që MPB e OSHP bashkë po duanë të ‘kontrabandojnë’ këto 2 milionë euro.

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga Xhelal Sveçla kishte hapur një tender që parashikonte t’i shpenzonte me të më shumë se sa 5 milionë euro të kuletës së shtetit. Po planifikonin ndërtimin e objekteve për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi.

Reklama e sponzorizuar

Për më shumë se një vit, shumë zhvillime kanë ndodhur në këtë tender të majm, derisa në fund mbeti vetëm një llot.

Më 10 tetor të këtij viti MPB-ja ka bërë me dije se për tenderin: “Ndërtimi i objekteve Administrative – Agjencive për IRK” me afro 2 milionë euro ka shpërblyer kompaninë kompaninë “Arbëri –NS” SH.P.K., pronë e biznesmenit Naim Selmani nga Malisheva.

Katër ditë më vonë, një nga kompanitë në garë i shkroi një letër Zyrës së Kryeministrit Albin Kurti, e në të cilën letër është mbajtur i informuar madje edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi e ku denoncoheshin shkeljet e ligjit të bëra nga dikasteri i Sveçlës për këtë tender.

Aty ngritën akuza që MPB e Organi Shqyrtues i Prokurimit po funksionojnë bashkë, siç thuhet për të kontrabandar 2 milionë euro të një kompani e papërgjegjshme.

“Neve kemi dorëzuar ofertën tonë dhe po mundohemi me rruge ligjore të arrijmë deri tek drejtësia për projektin “Ndërtimi i objekteve Administrative – Agjencive për IRK-LOT 3” pasi qe AK-MPB ka rekomanduar me shkelje ligjore OE të papërgjegjshëm pasi që AK ne bashkepunim me OSHP-në po mundohen ti kontrabandojnë kundërligjshëm rreth dy milionë euro, ju njoftojmë se ne nuk do të ndalemi dhe do te iniciojmë procedura penale ndaj grupit te organizuar së bashku OSHP e MPB”, thuhet në këtë letër që e ka Gazeta Insajderi.

Derisa po pritet që të mblidhet edhe një panel i bordit të OSHP-së për ti shqyrtuar pretendimet e kompanive që nuk e fituan këtë tender, eksperti i angazhuar në këtë rast veç se ka ardhur në konstatimin se për këtë tender afro 2 milionë euro, MPB-ja ka bërë shkelje. Së paku dy nene të Ligjit të Prokurimit, nenin 59 dhe 72.

Eksperti është fokusuar tek pika që ku kompanitë e tjera që ishin në garë kanë pasur vërejtje tek lista e punëve të kryera nga kompania fituese, “Arbëri –NS” Sh.P.K nga Malisheva.

Edhe pse MPB-ja tashmë ka bërë publik njoftimin se me këtë kontratë e ka shpërblyer këtë kompani, eksperti i angazhuar nga OSHP-ja thotë që krejt procesi duhet të kthehet mbrapshtë. Ky vendim i MPB-së duhet të anulohet e tenderi të shkoi edhe një herë në ri-vlerësim, me çka i bënë të barabartë në garë për këtë 2 milionësh krejt kompanitë e tjera.

Kompania që është shpërblyer nga MPB-ja me këtë tender në vlerën afro 2 milionë euro, Arbëri –NS” Sh.P.K sipas prokurimit të hapur del që në vitin 2018 nga Ministria e Administratës Publike, dikur ministri në vete e tash pjesë e MPB-së, kishte marrë një tender prej mbi 380 mijë eurosh.

Si liderë e një grupi prej 4 kompanish, po atë vit nga e njëjta ministri kishte marrë edhe një tender prej 2.8 milionë eurosh.