Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës (OHTK) ka reaguar pas kërkesës së bërë publike nga ministri i Financave, Hekuran Murati, se u dashka bizneset private t’ua ngritin pagat punëtorëve të tyre. Kjo “kërkesë” vlerësohet nga OHTK-ja si lojë me dy letra e këtij ministri dhe si pasqyrë e keqe për tërë Qeverinë e vendit.
“Ministri Murati dhe qeveria që ai përfaqëson nuk bëri tani e sa kohë asnjë ngritje page në sektorin publik edhe përkundër faktit të ngritjes së madhe të çmimeve dhe të faktit tjetër se ka buxhet të madh të pashfrytëzuar, e që një pjesë e madhe e tij është mbledhur nga sektori privat, e nga ana tjetër pikërisht ky ministër duke përdorur standard të dyfishtë kërkon nga bizneset që ato të ngritin pagat edhe pse të pambështetura nga shteti shumica prej tyre mezi mbijetojnë”.
“Ministri Murati është dashur të ngit pagat në sektorin publik sepse ata janë shërbyes të shtetit dhe kështu do të bëhej model i mirë dhe mësim për bizneset”, thuhet në një reagim të kësaj shoqate.
“Ai dhe Qeveria kanë obligim ta ndihmojnë edhe sektorin privat sepse buxheti ka mbështetje të fortë nga puna dhe djersa e këtij sektori, prandaj OHTK me arsye kërkon që Ministri Muarti dhe Qeveria pa lojëra e kushtëzime t’i ndihmojë e mbështes të gjithë punëtorët e sektorit privat me së paku 200 euro deri në fund të vitit”.
OHTK thekson se diskriminimi i vazhdueshëm i sektorit privat nga institucionet e vendit është veprim qyqar dhe i papranueshëm.
“Ministri Murati dhe Qeveria janë për të ndihmuar e për të ofruar zgjidhje të pranueshme kur ka kriza e probleme ekonomike e jo për të bërë analiza jokompetente, të pabazuara në fakte po në paragjykime”.