Bursa e kriptovalutave BlockFi ka paraqitur kërkesë për falimentim, pasi mbyllja e FTX-it vazhdon të ketë jehojë në të gjithë industrinë.
Kompania tashmë ka ndërprerë shumicën e aktiviteteve në platformën e saj, duke përmendur “ekspozimin kuptimplotë” ndaj FTX-it.
BlockFi tha se po kërkon mbrojtje nga gjykata për të ristrukturuar borxhet e saj dhe për të rikuperuar paratë për investitorët.
Kolapsi i FTX-it e ka tronditur besimin në industrinë e kriptovalutave dhe ka tërhequr vëmendjen nga rregullatorët.
BlockFi, i cili ofronte kredi dhe shërbime të tjera financiare të mbështetura nga asetet e kriptovalutave, e përshkroi rënien e FTX-it si “tronditëse”.
Sipas dosjes gjyqësore, BlockFi me bazë në New Jersey tha se u detyrohej më shumë se 100 mijë kreditorëve, duke e renditur FTX-in si kreditorin e dytë më të madh, me 275 milionë dollarë borxh.
Kjo kompani tha se kërkesa për falimentim do t’i lejonte firmës të zhvillonte një “plan riorganizimi që maksimizon vlerën për të gjithë palët e interesuara, duke përfshirë klientët tanë të vlerësuar”.
E themeluar në vitin 2017, BlockFi e kishte promovuar veten si ndërtimin e një ure midis kriptovalutave dhe produkteve tradicionale financiare. /Telegrafi/