Pas njoftimit të sotshëm se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka gjobitur Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) me 8.4 milionë euro dhe Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) me 2.7 milionë euro, menjëherë kanë reaguar që të dyja palët.
Në reagim thuhet se edhe pse sinjalet e para të krizës energjetike janë shfaqur në korrik të vitit 2021, Zyra e Rregullatorit për Energji, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga operatorët KEDS dhe KESCO, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për parandalimin e kësaj krize.
Lexoni më poshtë reagimin e plotë nga KEDS-i dhe KESCO:
Të nderuar qytetarë,
Siç jeni në dijeni, gjatë vitit 2021 dhe 2022, sektori i energjisë elektrike në Evropë dhe në rajon është përballur me një krizë energjetike shumë të rëndë-më të rëndën gjatë dekadave të fundit. Vendet, si Kosova, prodhimi i të cilave nuk mbulon kërkesën për konsum, e kanë ndier këtë krizë edhe më thellë.
Edhe pse sinjalet e para të krizës energjetike janë shfaqur në korrik të vitit 2021, Zyra e Rregullatorit për Energji, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga operatorët KEDS dhe KESCO, nuk ndërmori asnjë masë për parandalimin e kësaj krize.
Kërkesa për shqyrtimin e jashtëzakonshëm, e cila bazohet në legjislacion, nuk u mor parasysh dhe, si e tillë, në parim u refuzua, pa e parë të nevojshëm analizimin e mëtutjeshëm të saj, ashtu siç kërkohet me rregullën përkatëse.
Në shkurt të këtij viti, Rregullatori mori një vendim të vonuar, i cili nuk dha asnjë rezultat në tejkalimin e krizës, duke i detyruar operatorët që të operojnë nën kosto.
Mosveprimet e Rregullatorit kanë krijuar çrregullime, konfuzion dhe kosto shtesë në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Për më tepër, edhe pse sektori i energjisë elektrike është në gjendje emergjente që nga dhjetori i vitit të kaluar, Rregullatori këmbëngul të mos ndërmarrë asnjë veprim.
Të gjitha vendet e rajonit i kanë mbështetur operatorët në sektorin e energjisë elektrike me një sërë masash, në mënyrë që të sigurojnë qëndrueshmërinë e sistemit të tyre elektroenergjetik. Rregullatori, si i vetmi autoritet përgjegjës në funksionimin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm të sistemit energjetik, ka dështuar të përmbushë detyrimet e ofruara me ligj, duke mos vepruar dhe, si rrjedhojë, e ka futur sistemin energjetik në një krizë akoma më të thellë.
Me shqetësim të madh, më 16 nëntor 2022, kemi pranuar komunikatën për media, përmes së cilës njoftohemi se në seancën e 13-të të Bordit të ZRRE-së, është shqyrtuar vlerësimi përfundimtar në lidhje me gjetjet e prezantuara nga stafi profesional i ZRRE-së në raportet e monitorimit, duke e miratuar propozimin për masat administrative me gjobë për KESCO-n në vlerë prej 8,4 milionë euro dhe për KEDS-in në vlerë prej 2,7 milionë euro.
Nga kjo deklaratë shihet qartë se Bordi i ZRRE-së, në mënyrë që t’i shkarkojë përgjegjësitë e mosveprimeve të vazhdueshme të tij, ka vendosur t’i gjobisë vetëm operatorët KEDS dhe KESCO, bazuar në të gjeturat e stafit profesional. Pasojat e këtij dënimi, në të njëjtën mënyrë, po ia bartë stafit profesional.
Me fjalë të tjera, veprimi i vetëm për tejkalimin e krizës energjetike është vendimi për t’i gjobitur operatorët KEDS/KESCO, duke e thelluar dhe rrezikuar qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik në periudhën e dimrit të vështirë që e kemi përpara. Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji e ka lënë në “mëshirë të fatit” sektorin e energjisë elektrike.
Pa asnjë dyshim, KEDS dhe KESCO do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, me argumentet dhe dëshmitë përkatëse, me besim të patundur në sistemin e Drejtësisë së Kosovës.
Shkaktimi i krizës energjetike ka ndodhur jashtë kontrollit të operatorëve, të cilët kanë vuajtur pasojat e mosveprimit me kohë të institucioneve përkatëse.
Të nderuar qytetarë,
Pavarësisht se ndodhemi në një situatë shumë të vështirë dhe me shumë paqartësi në lidhje me sigurimin e energjisë elektrike në periudhën e dimrit që po na vjen, zotohemi se do t’i shterim të gjitha mundësitë tona, njëjtë siç kemi vepruar deri më tani, për të luftuar këtë krizë energjetike, edhe pse ndjehemi të vetëm dhe pa mbështetje institucionale.