Çdo vit në rrjetin e distribuimit të KEDS-it, kyçen pothuajse 30 mijë konsumatorë të rinj. Kjo bën që të ngarkohet rrjeti i energjisë elektrike edhe më shumë. Ndërkohë “Termokos”, po vazhdon me zgjerimin e rrjetit në lagje të ndryshme të kryeqytetit, ku në proces janë 141 objekte në Lagjen “Mati 1”.
Ndërtimi i hovshëm i objekteve shumëkatëshe, ka bërë që shumë prej tyre të ngrohen me nxehje qendrore me rrymë, apo nxehëse elektrike mobile. E të gjitha këto po ndikojnë në mbingarkim të rrjetit elektrik si dhe rritjen marramendëse të konsumit gjatë stinës së dimrit. Çdo vit në rrjetin e distribuimit të KEDS-it, kyçen pothuajse 30 mijë konsumatorë të rinj, thotë për Radio Kosovën zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
“Minimumi 30 mijë brenda vitit. Po flasim për një shifër relativisht të lartë e cila nga viti në vit po përcillet me trendë pothuajse të njëjtë. Po flasim për shifra të larta që ndodhin nga viti në vit si pasojë e ndërtimeve të shumta që ndodhin në vend. Kjo ka sjellë edhe ngarkesë të vazhdueshme të konsumit e që viteve të fundit diku ka kaluar mbi 40 për qind rritja e konsumit”, tha Buzhala.
Nga ana tjetër, Ngrohtorja e qytetit “Termokos” është vazhdimisht në zgjerimin e rrjetit në kryeqytet. Zëdhënësja Afërdita Uka duke folur për Radio Kosovën thotë se aktualisht në proces të kompletimit të nënstacioneve të ngrohjes, janë 141 objekte banesore në Lagjen Mati 1, ku 17 prej tyre janë kyçur. Sipas saj, punimet kanë filluar edhe në disa pjesë të kryeqytetit.
“Pjesa tjetër e Lagjes “Mati 1” jemi në pritje që të përfundojë pjesa e rrjetit sekondar të ngrohjes. Ditë më parë kanë filluar punimet edhe për hapjen e kanaleve dhe vendosjes së zgjerimit në Lagjen “Arbëria”, ku janë 43 objekte banesore që do të kyçen për herë të parë në rrjetin e ngrohtores”, tha Uka.
Kyçja në rrjetin e Ngrohtores “Termokos”, ka rol pozitiv si në aspektin e amvisërisë dhe atë afarist, vlerëson për Radio Kosovën Safet Fazliu, nga Qendra e Mbështetjes së Bizneseve.
“ Zgjerimi i rrjetit të ngrohtores së qytetit në veçanti në Prishtinë, do të ndikonte në reduktimin e shfrytëzimit të energjisë elektrike dhe rrjedhimisht do të kishim një konsum më të ulët të energjisë elektrike e që do të kishte efekt pozitiv te shumë faktorë”, tha Fazliu.
Ndryshe, sipas përllogaritjeve të ekspertëve të energjisë, shpenzimin më të madh të energjisë elektrike në shtëpitë apo banesat gjatë stinës së dimrit e përbën ngrohja qendrore me rrymë, me diku 70 për qind të shumës totale të faturës mujore.
KEDS-i ka lëshuar një varg rekomandimesh për kursimin e rrymës, duke thënë se edhe hapat e vegjël do të ndihmonin në përmirësimin e situatës energjetike, para stinës së dimrit. /Radio Kosova/