Me tërheqjen e bllokut B2 nga prodhimi, që nga sot (e marte) pra, në funksion gjenden vetëm tri njësi të prodhimit të termocentraleve të Kosovës, respektivisht janë duke punuar B1 –shi me 260 megavatë-orë dhe A3 e A4, që të dyja bashkarisht me rreth 260 megavatë, ose secila veç e veç nga 130 megavatë-orë. Sasia e munguar e energjisë elektrike do të sigurohet nga importi, ose do të aplikohen reduktime në orët e pikut.
Buletini Ekonomik
Nga sot (e marte, 8 nëntor) blloku B2 i temocentraleve Kosova B ka ndërprerë për disa ditë prodhimin e energjisë elektrike për shkak se inxhinierët e KEK-ut kanë planifikuar një remont disaditor (në KEK pohojnë se remonti do të zgjasë gjithsej 8 ditë).
Ky remont, sipas fjalëve të ekspertëve dhe inxhinierëve në KEK, i bie të jetë një lloj revizioni- verifikimi i të gjitha stabilimenteve të kësaj njësie prodhuese të rrymës para sezonit dimëror, kur do të jetë tepër e nevojshme energjia e prodhuar në këtë termocentral. Siç dihet, kohë më parë në B2 është kryer remonti i planifikuar dhe që ka zgjatur përafërsisht një muaj.
Sot, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se në njësinë B2 të termocentralit ‘Kosova B’ ka filluar revizioni i rregullt vjetor, që parashihet të kryhet brenda tetë ditëve. Sipas njoftimit të KEK-ut, kjo bëhet për të ngritur sigurinë e operimeve dhe është planifikuar që në fillim të vitit.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se bazuar në Bilancin Vjetor Elektro-Energjetik (BVEE), dhe me qëllim të ngritjes së sigurisë së operimeve dhe stabilitetit të njësive gjeneruese gjatë periudhës së dimrit, njësia B-2 e termocentralit Kosova B, ka filluar revizionin e rregullt vjetor (8 ditorë) nga sot deri më datën 15 nëntor 2022”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se aktualisht është duke prodhuar me kapacitet prej rreth 500 MW/h. Ndërsa nga njësia B1 do të furnizohet edhe Termokosi me rreth 45-50 MW/h. Dhe me tërheqjen e B2-shit nga funskioni, në prodhim që nga sot (e marte) pra, gjenden vetëm tre njësi të prodhimit të termocentraleve të Kosovës, respektivisht janë duke punuar B1 – shi me 260 megavatë-orë dhe A3 e A4, që të dyja bashkarisht me rreth 260 megavatë, ose sicila veç e veç nga 130 megavatë-orë. Gjithsej, nga termokapacitetet tona janë duke u gjeneruar diku rreth 520 megavatë-orë energji elektrike dhe një sasi thuaja simbolike e rrymës nga kapacitetet ekzistuese të energjisë së rinovueshme.
Mirëpo, edhe pse ende po mbajnë ditë pa të ftohtë të theksuar, që për rrjedhojë ende ka konsum jo edhe aq të rritur, krahasuar me muajt e verës, kjo sasi e energjisë elektrike nuk është e mjaftueshme për nevojat e konsumit të Kosovës. Sipas zyrtarëve të KEDS-it, këtyre ditëve konsumi mesatar i energjisë elektrike gjatë ditës në vend, sillet diku rreth 600 megavatë orë, ndërsa në orët e pikut shpenzimi i rrymës edhe këtyre ditëve ende të ngrohta shkon te 800 megavatëshi. Prandaj, kushtimisht mungesa e rrymës për nevojat e konsumit të vendit gjatë orëve të pikut duhet të kompenzohet me import nga tregjet e jashtme të energjisë, ose të aplikohen reduktimet në orët kur shpenzimet e energjisë elektrike në Kosovë rritën ndjeshëm.
Ka pak gjasë që sasia e munguar e energjisë elektrike si rrjedhojë e tërheqjes tetëditore të B2-shit nga funksioni për remont të planifikuar, të kompenzohet nga kthimi i borxhit nga KESH, për shkak të situatës goxha të pafavorshme me rezervat e ujit në akumulimet e Kaskadës së Drinit.
Sasia e energjisë së importuar, derisa të jetë jashtë procesit të punës B2- shi është diku 200 megavat-orë, kanë thënë për Buletinin Ekonomik, zyrtarët e KEDS-it. Kjo është situata aktuale elektroenergjetike në vend.
Ndërsa, dimri, dihet, do të diktojë rrethana të tjera elektroenergjetike në Kosovë, kur pritet të ketë goxha mungesë të rrymës. A do të ketë para Kosova për ta importuar energjinë që do t’i mungojë, mbetet të shihet. Duhet përkujtuar se, në stabilimentet e stërvjetëruara, megjithë remontet goxha të rregullta dhe të shpeshta që KEK-u sivjet ua ka bërë njësive prodhuese aktuale, dhe megjithë mirëmbajtjen standarde të tyre, mund të ndodhin edhe defekte prej më të ndryshmeve teknike, që do të thotë ndërprerje e paparashikuar e prodhimit. Në këto raste, pastaj, sidomos në ditët me temperatura të ulëta, përkeqësohet domosdo situata elektroenergjetike dhe domosdo aplikohen kufizime të konsumit të rrymës. /Buletini Ekonomik/