Për shkak të prurjeve të shumta si efekt i reshjeve, panorama në kaskadën e Drinit ndryshoi në pak orë, ku nga prodhimi minimal, KESH nisi prodhimin me kapacitet të plotë në dy nga tre HEC-et, por edhe shkarkime në kushtet kur i duhej të respektonte nivelet e parashikuara nga rregullorja.
Korporata Elektoenergjetike Shqiptare ka zhvilluar procedurën e dytë të shitjes në pak ditë duke arkëtuar për këtë 2.6 milionë euro. Sasia e shitur e energjisë është 13,260 MW, energji kjo e ndarë në disa lote të cilët janë shitur me çmime të ndryshme në varësi të fashës orare që përfshijnë.
Konkretisht fasha më e lirë e tregtuar është ajo me 116 euro/MWh që i takon natës, ndërsa çmimi më i lartë i ponderuar është loti 4 i shitur me 246 euro/MWh.
Çmimet me të cilat është zhvilluar kjo procedurë në raport me bursën janë të përafërta duke reflektuar kështu fashat orare në të cilat është tregtuar energjia. Për të dyja procedurat KESH ka arkëtuar një totale prej 3.3 milionë euro, që sërish mbeten një pikë uji në oqean në raport me shpenzimet që i është dashur të bëjë korporata për importe këtë vit për të siguruar furnizimin. Këto shpenzime deri në datën 20 nëntor arritën 430 milionë euro, transmeton Monitor.
KESH aktualisht po siguron përmes prodhimit nga kaskada furnizimin me energji në vend, e kombinuar kjo edhe me energjinë që siguron vetë OSHEE për detyrimet e saj të mbulimit të humbjeve.
Përmirësimi i situatës hidrike në vend pritet që të ketë një efekt lehtësimi në kushtet e një krize globale që ka detyruar vendet të marrin masa të shumta përfshirë Shqipërinë, e cila vendosi zbatimin e fashës 800 kWh me një çmim 42 lekë për çdo kWh të shpenzuar mbi këtë fashë. Gjithsesi edhe pse vendor, fasha nuk u zbatua për tetor-nëntor dhe me përmirësimin e kushteve duket se edhe dhjetori do të jetë në të njëjtën linjë, por për këtë duhet të shihen hapat që do të ndërmerren nga kompanitë e sektorit.