75 milionë eurot e BE-së për “energji, familjet në nevojë dhe bizneset”, si do t’i përdorë Kosova?

Situata energjetike në vend vetëm po shkon duke u përkeqësuar. Çmimi i rrymës është shtrenjtuar jashtëzakonisht shumë në tregjet ndërkombëtare, duke arritur gati në 500 euro. KEDS/KESCO tashmë kanë filluar importin, që vetëm për gjashtë ditë u ka kushtuar 4.5 milionë euro. Në fund të tetorit, BE-ja njoftoi se do të ndajë 75 milionë euro për Kosovën për të zbutur krizën energjetike. Për këtë ndihmë ka folur sot sërish Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila ka treguar se kush do të përfitojë.

Në fund të tetorit të këtij viti, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e vizitoi Kosovën. Gjatë kësaj vizite, ajo njoftoi se Bashkimi Evropian do të ndajë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.

“Ne do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme deri në fund të vitit që ju të mund të merrni fondin që në janar”, kishte thënë ajo në një konferencë të përbashkët pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Reklama e sponzorizuar

Për këtë ndihmë, Von der Leyen ka folur edhe dje në konferencën e përbashkët për media, pas Samitit mes liderëve të BE’së dhe Ballkanit Perëndimor, që u mbajtë në Tiranë.

Ajo ka treguar se Paketa prej 1 miliard eurosh në sektorin e energjisë, që është ndarë për Ballkanin Perëndimor, është e ndarë në dy pjesë.

500 milionë euro ka thënë se do të shkojnë për familjet në nevojë dhe bizneset, derisa 500 milionë euro tjera për infrastrukturë në energjinë e ripërtëritshme.

“Kjo paketë prej 1 miliard euro për mbështetje për sektorin e energjisë është e ndarë në dy pjesë. 500 milionë euro, mbështetja e drejtpërdrejtë buxhetore, e cila jep mundësi që në formë të shënjestruar t’u jepet ndihmë familjeve në nevojë si dhe bizneseve në nevojë. Ndërsa, pjesa e dytë, 500 milionë të tjera euro janë mbështetje për infrastrukturën, në mënyre që të bëhen investime për energjinë e së ardhmes”, ka deklaruar ajo.

Ajo nuk tregoi se kur do të jenë këto mjete në dispozicion të shteteve, por sipas një njoftimi të mëhershëm të BE’së, pjesa e parë e kësaj ndihme do të ishte e disponueshme në muajin janar.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës së Kryeministrit për të marrë informacione se në çfarë forme do të përdoren saktësisht këto mjete, por deri në momentin e publikimit të tekstit, s’ka pranuar përgjigje.

Ndërkohë, situata energjetike në vend po shkon drejt përkeqësimit. Çmimi i energjisë elektrike në bursën hungareze, prej ku edhe blen Kosova, është shtrenjtuar shumë. Çmimi për ditën e sotme është 474 euro.

E meqë sasia e energjisë që prodhon KEK’u nuk i mbulon nevojat e konsumit, KEDS/KESCO janë detyruar të fillojnë me import.

Nga KEDS i kanë thënë Gazetës Express se vetëm për gjashtë ditët e para të këtij muaji, kanë importuar energji elektrike në vlerë prej mbi 4.5 milionë euro.

“Siç e dini me uljen e temperaturave dhe rritjen e konsumit të energjisë në këtë periudhë, rritet edhe sasia e importit sepse prodhimi vendor nuk e mbulon konsumin. Vetëm për 6 ditët e para të dhjetorit KEDS&KESCO, kanë importuar 11560MWh në vlerë prej mbi 4.5 milionë euro”.

Të pyetur nëse mund të ketë reduktime, nga KEDS kanë thënë se një gjë e tillë s’mund të parashikohet, por as të përjashtohet.

“Ju e dini që ne jemi në situatë emergjente, të shpallur edhe nga institucionet e vendit. Në kohë krizash është e pamundur të bëhen parashikime të situatave që mund të paraqiten. Në këto rrethana, kur nuk mund të parashikohet asgjë, as nuk mund të përjashtojmë asgjë.

Orientimisht, në situata të tilla duhet pasur parasysh tre faktorë: konsumin e energjisë elektrike që është duke u rritur çdo ditë, trendin e rritjes së çmimeve të importit të energjisë elektrike dhe pambulueshmërinë e konsumit nga ana e prodhimit vendor atëherë nuk mund të parashikojmë se cili do të jetë skenari në javët e ardhshme. Por, të gjithë duhet të bëhemi bashkë që të marrim vendimet dhe veprimet më të mira, më adekuatet, në mënyrë që pasojat e krizës të jenë sa më të përballueshme dhe të kenë ndikim sa më të vogël në sistem”, thuhet në përgjigjet e KEDS’it drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Bazuar në statistikat e institucioneve në Kosovë, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të rrymës totale që prodhohet në vend.