BE e shqetësuar me Ligjin për Zyrtarët Publikë: S’i morën parasysh komentet tona

Bashkimi Europian në Kosovë ka reaguar për miratimin e Ligjit të Zyrtarëve Publikë nga Kuvendi i Kosovës dje.

Në deklaratë, BE thotë se ka dhënë komente për këtë projektligj me qëllimin që ai të përafrohet me parimet e reformës në administratë të BE-së. BE këto vërejtje i jep për disa dispozita të këtij ligji.

“BE-ja shpreh keqardhje që Kuvendi i Kosovës dje i ka miratuar këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë. Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit”, thuhet në reagim.

Reklama e sponzorizuar

BE-ja thotë se angazhohet në dialog të vazhdueshëm me autoritetet për të gjitha aspektet e reformës së administratës publike pasi ky është një parakusht kyç për integrimin në BE dhe thelbësor për funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për popullin e Kosovës.

“BE-ja është gjithashtu partneri kryesor i Kosovës për sa i përket mbështetjes financiare për këto reforma. Për të ndihmuar Kosovën të avancojë në rrugën e saj të integrimit në BE në këtë fushë reformuese, BE-ja në bashkëpunim me ekipin e ekspertëve të OECD/SIGMA, ka dhënë komente në disa raste për projektligjin për zyrtarët publikë dhe projektligjin për pagat. Komentet kishin për qëllim të udhëzojnë dhe mbështesin më së miri qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem kompensimi transparent të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës”.

BE-ja thotë se do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike në Kosovë, si dhe se do të raportojë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën dhe mund të rivlerësojë ndihmën e saj në këtë fushë.