Edhe tani, në dhjetëditëshin e parë të dhjetorit 2022, (një muaj e sa, qëkur është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg), trendi i ngritjes së çmimeve ka lëvizur hovshëm dhe frikshëm. Nga dita në ditë kanë ndodhur dhe po ndodhin ngritje enorme çmimesh të shumë produkteve, e sidomos te ato esenciale ushqimore.
Mehmet GJATA
Tashmë është bërë më shumë se një muaj qëkur është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, por efektet e tij janë të pavërejtshme. Po të analizohen mirë e mirë efektet e këtij ligji të miratuar më 8 nëntor, në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës, del të jenë të kundërta me parashikimet dhe qëllimin e tij. Sepse, çmimet, sidomos të disa produkteve themelore ushqimore dhe sidomos të disa produkteve që janë vendore, që prodhohen në Kosovë, jo vetëm që nuk janë ndalur së ngrituri, por janë rritur në mënyrë të përshpejtuar, brenda ditës dhe ditëve qëkur është miratuar ligji i shumëpritur dhe i shumëpërfolur –i kontestuar sidomos nga opozita, por edhe i përkrahur nga mazhoranca.
Pozita, zyrtarët dhe autoritetet e vendit e thanë zëshëm se qëllimi kryesor i këtij ligji është eliminimi i efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg dhe se do të zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore në vend.
Zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë kanë thënë se “qëllimi është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit”. Në bazë të draftit final të këtij Ligji të prezantuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe të kontestuar goxha shumë nga ekonomistë, dhe sidomos nga opozitarët, produktet themelore në kuadër të këtij ligji parashihet të jenë: drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie.
Dhe, po t’i bëhet sot një vështrim paksa më analitik efekteve të këtij ligji, shihet se Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, është fare jo rezultativ, i paefektshëm, sepse thuaja në asnjë rast nuk arriti qëllimin kryesor (eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve) dhe nuk ndaloi “abuzimin me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit) nga tregtarët e papëregjegjshëm as nga operatorët ekonomik që tregtojnë produkte themelore në vend. Sepse, çmimet, sidomos të disa produkteve themelore ushqimore dhe sidomos të disa produkteve që janë vendore, që prodhohen në Kosovë, jo vetëm që nuk janë ndalur së ngrituri, por janë rritur në mënyrë të përshpejtuar, brenda ditës dhe ditëve qëkur është miratuar ligji i shumëpritur.
Dhe, po del se trendi i rritjes së madhe dhe të vrullshme të çmimeve në Kosovë edhe më tutje, praktikisht, nuk po ndalet. Në këtë mënyrë, nga ngritja e egër dhe e përditshme e çmimeve të të gjitha produkteve, por, gjithsesi, më së shumti nga ngritja e çmimeve të produkteve elementare ushqimore, atyre që përbëjnë shportën dhe që një familjeje i duhen përditë, tani, në fillim të nëntorit, Kosova shquhet me çmime rekorde dhe ndjeshëm më të larta krahasuar me shtetet fqinje dhe të rajonit po se po, por edhe krahasuar me shumë shtete të Europës dhe të botës.
Duhet theksuar se tashmë çmimet e larta të shënuara më 2021 në Kosovë, që vlerësoheshin si rekorde, ose ndër më të lartat në dekadat e fundit, janë zbehur shumë, madje nuk kanë mbetur as për t’u përmendur krahasuar me çmimet e reja të ngritura në këta muajt e fundit të këtij viti. Edhe tani, në dhjetëditëshin e parë të dhjetorit 2022, (një muaj e sa qëkur është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg), trendi i ngritjes së çmimeve ka lëvizur hovshëm dhe frikshëm.
Nga dita në ditë kanë ndodhur dhe po ndodhin ngritje enorme çmimesh të shumë produkteve, e sidomos te ato esenciale ushqimore (buka, vaji, sheqeri dhe prodhimet nga qumështi-djathërat, jogurti etj.). Sipas shumë fakteve, ato tashmë kanë tejkaluar çmimet e produkteve të shportës të shumë e shumë vendeve të Perëndimit. Sheqeri, vaji, qumështi etj., por edhe vezët , tashmë janë më shtrenjtë në Kosovë sa bie fjala në Gjermani, në Zvicër, në Itali dhe në disa vende të tjera evropiane.
Sipas Indeksit të Harmonizzuar të Çnimeve të Kosumit (IHÇK) të muajit nëntor të këtij viti, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK), shihet se te shumë produkte bazike ka ngritje çmimesh goxha të theksueshme, madje edhe krahasuar vetëm me një muaj me parë. Sipas ASK-së, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë, në një mesatare prej 0.3% në muajin nëntor 2022, krahasuar me muajin tetor 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: energji elektrike (4.0%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.2%); qumësht, djathë dhe vezë (2.1%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (1.5%); kafe, çaj dhe kakao (1.2%); perime (1.1%); bukë dhe drithëra (1.0%); mish (0.9%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.6 për qind në IHÇK.
Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin nëntor 2022 dhe e krahasuar me muajin nëntor 2021 ishte 11.6%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 11.6% në muajin nëntor 2022, se sa në të njëjtin muaj të vitit 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (43.7%); vajra dhe yndyra ushqimore (34.4%); qumësht, djathë dhe vezë (24.7%); bukë dhe drithëra (21.9%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (21.3%); mish (21.2%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (18.5%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (18.3%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (17.2%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (16.2%); shërbime hoteliere (11.7%); kafe, çaj dhe kakao (11.1%); gaz (11.0%) etj. etj. Deri pak ditë më parë, 5 kilogramë sheqer janë tregtuar me 5.28 euro, ndërsa tani ky produkt esencial sipas ASK-së ka arritur çmimin në 5.90 euro.
Po ashtu edhe vezët janë shtrenjtuar, duke arritur kështu në mbi 5,5 euro kompleti prej 30 copë vezësh. Nga 3.90 e deri në 4-5 euro sa tregtohej kompleti i vezëve ditë më parë, një komplet me vezë (30 copë) dje dhe sot, në njërin nga megamarketet e mëdha (te komuna e re) të një kompanie me shumë pika shitjeje në kryeqytet, tregtohej me çmimin prej 5,5 eurosh.
Sipas ASK-së, edhe çmimi për dru zjarri (bungu), 1 metër kub ende tregtohet me çmim të shtrenjtë, 67.33 euro. Çmimet pra, vetëm sa janë ngritur te disa tregtarë, por me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura, sidomos te produktet bazike. Kjo i bie, që pronarët e supermarketeve dhe megamarketeve nuk duan të “ndiejnë” për masat e Ligjit… Dhe, këtë ngritje çmimesh të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, tashmë mezi po e përmbyllin muajin me muaj.
Ka rënë pa diskutim edhe fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasojë se në muajt e fundit të 2022-tës, familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Sepse, siç kanë llogaritur qartësisht njohësit e mirë të proceseve inflatore në vend, 100 euro në shtator të vitit 2021 kanë pasur vlerë reale 90.74 euro, ndërsa me muajin shtator 2022- 100 euro kanë vlerë reale 80.52 euro. Në këtë mënyrë, po rrezikohet dita – ditës ekuilibri edhe ashti i brishtë social në vend. Po lëkundet edhe më shumë paqja sociale e kosovarëve të varfër. Këto janë faktet.
Por zyrtarët edhe po të duan, siç po shihet, nuk kanë mundësi t’i kenë parasysh këto fakte. Për ta patur parasysh shpërthimin kaq të egër të çmimeve të produkteve elementare duhet vëzhguar marketet dhe të gjitha pikat e tregtimit dhe duhet kontrolluar zbatimin e masave të përkohshme mbrojtëse në raste të veçanta të destabilizimit në treg, të parapara edhe me Ligjin e miratuar para më shumë se një muaji. Dhe, shtrohet pyetja e thjeshtë: si të bëhet kontrolli i gjithë këtyre pikave të shitjeve kur tashmë në Kosovë, është evidente mungesa e inspektorëve të tregut. Prandaj, siç duket, edhe po të dojë shteti të parandalojë ‘lojërat’ manipulative të tregtarëve abuzivë, tani për tani është i pafuqishëm.
Qëkur janë hequr fare nga shërbimet komunale inspektorët e tregut nëpër komunat e Kosovës (në komunat e Kosovës nuk ka inspektorë tregu, inspektorë sanitar etj., përafërsisht qe 5-6 vjet), kontrollet e manipulimit me çmime të tregtarëve, thuaja janë bërë të pamundura. Inspektorët e tregut të nivelit qendror, në numër mjaft të kufizuar, nuk mbërrijnë të bëjnë kontrollet e domosdoshme dhe tepër të nevojshme anembanë vendit. Prandaj, tregtarët bëjnë si duan vet, pa e ndier dhe përjetuar fare “dorën’ e shtetit dhe të kontrolleve të domosdoshme të tij. /Buletini Ekonomik/