Del në konsultim publik Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë

Burimet e ripërtëritshme të energjisë

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar sot se që nga data 07 dhjetor 2022, ka dalë në konsultim publik Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE).

Sipas njoftimit nga ME, Ligji i BRE-ve përcakton promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë në Republikën e Kosovës, me qëllim të rritjes së përdorimit të energjisë nga burimet e ripërtërishme dhe bashkëprodhimit në sektorin e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ftohjes dhe sektorin e transportit, me qëllim të përmbushjes së nevojave për energji, rritjes së sigurisë së furnizimit, përmirësoj mbrojtjen e mjedisit, si dhe ofrimit të përfitimeve sociale dhe shëndetësore dhe promovimit të mundësive të barabarta punësimi në sektor të energjisë.

Përmes këtij ligji, pritet që të mundësohet zhvillimi i kapaciteteve të BRE me procedurë konkurruese, transparente dhe jo diskriminuese, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Nga ministria theksojnë se ky ligj pjesërisht transpozon Direktivën (BE) 2018/2001 për Promovimin e Përdorimit të Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme, miratuar me Vendimin (2021/14/MC-EnC) të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë.

“Ministria e Ekonomisë e vlerëson shumë konsultimin me palët e interesit. Prandaj, kontributi juaj paraprak me shkrim do të jetë shumë domethënës dhe përmbajtjesor. Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar që kontributin tuaj përmes komenteve dhe sugjerimeve të ofruara t’i përfshijë brenda Ligjit”, thuhet tutje në njoftimin e ministrisë. /Buletini Ekonomik/

Të gjitha komentet dhe sugjerimet tuaja mund t’i dërgoni në linkun: https://konsultimet.rks-gov.net/vieëConsult.php…