Gjermania hap terminal për gaz të lëngshëm natyror

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka hapur të shtunën terminalin e parë të gazit të lëngshëm natyror në qytezën veriore, Vilhelmshaven.

Ndërtimi i tij – në afat rekord prej më pak se 10 muajve – tregon “kapacitetin e shtetit tonë për fillime të reja”, ka thënë ai në ceremoninë inauguruese.

Ky terminal është ndërtuar për të ndihmuar në zëvendësim të gazit rus.

Reklama e sponzorizuar

Terminali në të ardhmen pritet të shndërrojë gazin e lëngshëm natyror në gjendje gazi, ashtu që të përdoret nga rrjeti gjerman i energjisë.

Vitin e ardhshëm pritet të ndërtohen edhe katër terminale tjera të tilla në Gjermani.

Sipas Ministrisë gjermane të Ekonomisë, të gjitha këto terminale së bashku mund të sigurojnë një të tretën e gazit që i duhet Gjermanisë.

Scholz e ka marrë vendimin për ndërtim të terminaleve tri ditë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Si pasojë e sanksioneve që i ka vënë Perëndimi Moskës për këtë luftë, Rusia i ka zvogëluar furnizimet me gaz në Evropë, dhe me raste i ka ndalur ato tërësisht.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.