Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e ka diskutuar plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, raporton Ekonomia Online.
Për të dhënë mendim më të qartë për këtë çështje, komisioni i ka ftuar përfaqësues nga Banka Qendrore dhe nga Trusti Pensional.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se qëllimi i kontributeve pensionale është që të ofrojë mirëqenie pas moshën së pensionimit.
Prandaj sipas tij, këto mjete duhet të shfrytëzohen pas pensionimit në mënyrë që këta persona të mos bëhen barrë e shtetit.
“Për pensionet e bazuara në kursim, që veprojmë në emër të pjesëmarrësve dhe shpenzuesve, ka për qëllim grumbullimin dhe të sigurojë pensionet kontribuuese në rast se e arrijnë moshën 65 vjeçare. Qëllimi i kontributeve pensionale është që të ofrojë mirëqenie pas moshën së pensionimit”.
“Konsideroj se mjetet pensionale si qëllim kryesor është që të sigurojë mirëqenie për qytetarët të cilët pas pensionimit që ta kenë një mirëqenie e mos të bëhen barrë sociale e shtetit”, tha Mehmeti.
Mendim të njëjtë dhe kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti u shpreh edhe Ruzhdi Morina kryesues i Bordit të Trustit Pensional.
Drejtori i Trustit, Adrian Zalli tha se nëse Projektligji kalon në Kuvend, rreth 600 milionë euro do të tërhiqen.
“Prej shifrave nëse shkohet siç është propozuar në ligj shuma qe do të tërhiqet është mbi 594 milionë euro nëse të gjithë i tërheqin, nëse marrim praktikën se sa i kanë tërhequr herën e kaluar është 95 për qind. Është e pritshme që e njëjta të tërhiqet rreth 600 milionë euro”, tha Zalli.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Ferat Shala, pyeti për punën që ka bërë BQK-ja në uljen e inflacionit.
“A është pjesë e mirëqenies Inflacioni dhe cili është qëndrimi për Inflacionin. Për ta ruajtur mirëqenien, cilat janë rekomandimet tuaja për ta ruajtur mirëqenien sociale”, tha Shala.
Për inflacionin u përgjigj Guvernatori Mehmeti, raporton EO.
“13 për qind ka qenë në gusht, ndërsa në fund siç e parashikojmë mund të jetë deri në 11 për qind. Inflacioni është i importuar”, tha Mehmeti.
Para Mehmetit, ka qenë i ftuar edhe njëri prej organizatorëve të këtij projektligjit, Adnan Jashari.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha fillimisht se mos procedim i këtij projektligji është neglizhencë e kryetarit të Komisionit, Armend Muja.
Ia ka kërkuar që të lihen anash inatet politike dhe i njëjti të votohet.
“Unë besoj se është proces i vonuar që 21 mijë qytetarë që e kanë kërkuar dhe kanë pyetur se kur do të sillet në Kuvend dhe kjo është neglizhencë e vetë kryetarit (Armend Muja), dhe e Kuvendit. Është mirë të largohen inatet politike dhe mendoj se i njëjti duhet të votohet. Besoj se është nismë e drejtë dhe secili deputet besoj se është mirë ta votojë”, tha Lushtaku.
E deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu foli në cilësinë e të autorizuarit nga organizatorët e peticionit.
“Për pak ditë mbi 21 mijë qytetarë kanë kërkuar që ky Projektligj të sillet në Kuvend. Ky projektligj plotëson kushtet formale dhe juridike për ta trajtuar ky Komision. Saktësohet qëllimi që iu mundësohet tërheqja nga 10 deri në 30 për qind”, tha Haxhiu duke thënë se kriza financiare ka bërë që kjo temë të ri aktualizohet sërish.
“Propozohet që personat që kanë deri në 10 mijë euro t’i tërheqin deri në 30 për qind, ndërsa ata që kanë nga 10 mijë deri në 20 mijë të tërheqin 25 për qind. Kurse ata që kanë më shumë se 30 mijë euro t’i tërheqin deri në 10 për qind”, tha Haxhiu.
Për kosto shtesë të buxhetit, pyeti Armend Muja i VV-së. Por deputeti Haxhiu tha se nuk ka kosto shtesë ky Projektligj.
“Nuk ka kosto shtesë për buxhetin e shtetit por që me këtë do të ndikojë pozitivisht në buxhet sepse tërheqja e tyre do të paguhen TVSh dhe se ato mjete supozohet t’i shpenzojnë brenda vendit. Ky ligj ka kaluar të gjitha proceduat e nevojshme dhe ka një prolongim brenda administratës së Kuvendit dhe besoj se nuk duhet të vonohet më shumë”, tha Haxhiu.
Muja, hodhi akuza ndaj Adnan Jasharit si organizator i kësaj nisme. Ai tha se nga faqja në rrjetet sociale është kërcënuar ofenduar ai dhe familja e tij, raporton EO.
“Brenda atij grupi ju bëni thirrje për ta votuar dhe në drejtim timin dhe të familjes sime vijnë çdo ditë ofendime. Pse është e nevojshme që të kërcënoni dhe të ofendoni familjet”, tha ai.